62-Vjeçarja Goditet për Vdekje Teksa Shkonte për Kryeshëndoshë

Ishte nisur për ngushëllime te familjarët e saj në Qyshk të Pejës.

Por, 62-vjeçarja Nadire Ramaj nga Klina ishte goditur nga një veturë afër Qyshkut pak momente pasi kishte zbritur nga autobusi.

Ajo kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse.

KALLXO.com raportoi për aksidentin me fatalitet që ndodhi mbrëmë.

Gëzim Krasniqi është një familjar i të ndjerës.

Ai tregoi se e kishte parë veturën kur e kishte goditur një këmbësor, por nuk e kishte ditur se viktima ishte kushërira e tij.

Gëzimi tha se e ndjera kishte dashur të vinte te ta për kryeshëndoshë.

“Edhe tash ajo ka zbrit prej autobusit. Autobusin s’e kam pa. S’po di si terr fytyrës, edhe veç e kam parë momentin kur e ka kalu traken andej, edhe ka ardhë një kerr shumë shpejt. Ndoshta s’ka qenë shumë shpejt, po mua me ka ardhë bash në momentin e përplasjes. Shumë-shumë afër, edhe s’ka pasë shoferi shancë as me ndal, se shumë afër e ka pasë, as një metër larg”, tha Gëzimi.

Më pas, Gëzim Krasniqi kishte vrapuar kah vendi i ngjarjes, duke mos e ditur se kush është viktima.

Aksidentin me fatalitet e konfirmoi për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj.

Ibraj tha se viktima ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Janë ndërmarrë masa edhe ndaj ngasësit i cili ka drejtuar mjetin dhe të njëjtit me vendim të prokurorit të shtetit iu ka shqiptuar masa e ndalimit policor. Tani për tani rasti është nën hetim, janë duke u shqyrtuar gjitha rrethanat si ka ardhur deri te aksidenti”, theksoi Ibraj.

Zëdhënësi tha se sipas hetimeve të para mendohet që viktima nga pakujdesia ka kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë dhe është goditur nga mjeti i cili ka qenë i drejtuar nga personi i dyshimtë”, tha Ibraj.

Nadire Ramaj është varrosur sot.

Sot është varrosur edhe e afërmja e saj nga Qyshku.

KALLXO.com raportoi edhe para një muaj për aksidentet me fatalitet që kishin ndodhur në rajonin e Pejës.