Ndërhyra në Klinikën e Urologjisë | Foto: ShSKUK

6 Orë Operacion për Heqjen e Tumorit Gjigant në QKUK

Një tumor prej 18 centimetrash i është hequr një pacienti në Klinikën e Urologjisë në QKUK, në një operacion që ka zgjatur 6 orë e 30 minuta.

Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, tumori kishte madhësinë 18 centimetra, ndërsa ishte i vendosur në veshkën e djathtë të pacientit.

Sipas njoftimit, me gjithë përvojën mbi 30 vjeçare të ekipit të kirurgëve të urologjisë, ky ekip për herë të parë u përball me një operacion kaq të komplikuar.

“Ndërhyrja kirurgjikale ishte mjaft sfiduese, me mundësi të lëndimit të enëve të mëdha të gjakut të cilën tumori e kishte mbuluar në tërësi në gjatësi prej 18 cm dhe mëlçinë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi tregon se gjendja e pacientit është stabile.

Operacioni ka shkuar mirë duke e hequr në tërësi tumorin, pa pasur asnjë komplikim dhe gjendja e pacientit është stabile”, thuhet më tutje në njoftim.

ShSKUK bën me dije se ekipi që kreu operacionin përbëhej nga Dr.sci. Rexhep Kasumaj, Dr.sci. Isa Haxhiu,Dr. Bashkim Gllareva, Dr. Nafi Qeli, Dr. Sylejman Dulla, Linda Burovci,Haxhrije Begolli, Magbule Krasniqi dhe Gjejlone Xhemajli.

KALLXO.com ka shkruar edhe për ndërhyrje tjera të sukseshme kirurgjike në QKUK.

http://kallxo.com/foshnja-pesemuajshe-operohet-ne-kardiokirurgji/