ARKIV - Protesta te Pallati i Drejtesise

6 Muaj Burgim për Armëmbajtje pa Leje

Ai para trupit gjykues deklaroi se e ndjen vetën fajtor dhe e pranon veprën penale për të cilën akuzohet.

“Që nga fillimi i kësaj procedure e kam pranuar fajësinë dhe këtë veprim e bëj me vullnet e pa presion nga askush”, tha Arben Hasi.

Hasi shprehu pendesën e tij për veprimet që bëri gjatë një përleshjeje të vitit 2006 kur kërcënoi me armë.

“Jam penduar shumë për veprimet e mia. Për herë të parë kam rënë në kundërshtim me ligjin e prej asaj here kurrë më nuk kam rënë në telashe, as me ata persona, e as me asnjë tjetër”, deklaroi Arben Hasi.

Fahri Sadriu, avokati i të akuzuarit Hasi, i kërkoi trupit gjykues që gjatë marrjes së vendimit të ketë për bazë rrethanat dhe të mbrojturit të tij t’i shqiptojë dënim sa më të butë.

“Pasi që me personat e tjerë të përfshirë në këtë rast Arbeni është pajtuar dhe tanimë kanë raporte të mira, e po ashtu duke pasur parasysh faktin se është hera e parë që Arbeni ka rënë në kundërshtim me ligjin, kërkoj nga gjykata që këto t’i marrë si rrethana lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit për dënim”, tha avokati Fahri Sadriu.

Në dënim Arben Hasit do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim. Ai qëndroi në paraburgim saktësisht gjashtë muaj- nga 24 marsi 2006 deri më 25 shtator 2006.

Sipas aktakuzës, Arben Hasi në gusht të vitit 2006 në Fshatin Çikatovë e Re të Drenasit në punëtorinë “Hasi” kishte shtënë me revole në ajër, e më pas e kishte goditur me kondak të saj në gjoks Bashkim Elshanin, pas një mosmarrëveshjeje.

Mosmarrëveshja kishte ndodhur në mes të Bashkim e Bajram Elshanit në njërën anë dhe Sylë, Arben, Adnan dhe Shkëlzen Hasit në anën tjetër.

Shkak për mosmarrëveshje sipas aktakuzës ishte bërë një makinë rrobalarëse të cilën Bashkim dhe Bajram Elshani e kishin dërguar në punëtorinë “Hasi” për ta rregulluar, ose ndërruar me ndonjë tjetër.

Këtë makinë babai i Bashkim e Bajram Elshanit e kishte blerë më herët në Punëtorinë “Hasi”.

Arben Hasit i ishin konfiskuar dy revole-ajo me të cilën kërcënoi Elshanin dhe një revole tjetër.

Po në prill për armëmbajtje pa leje u dënua edhe një person tjetër.

http://kallxo.com/denohet-dorezuesi-vullnetar-armes/