Shkollimi në Gjermani | Foto: APPK

54 Punëkërkues në Gjermani për Aftësim Profesional

54 punëkërkues kosovarë do të fillojnë në Gjermani shkollimin trevjeçar për aftësim profesional.

Ata do të aftësohen për t’u përkujdesur për të moshuarit e këtij shteti të fuqishëm evropian.

Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) organizoi sot takimin përshëndetës me 54 kandidatët për ta kryer këtë aftësim.

Bedri Xhafa, udhëheqës  i kësaj agjencie falënderoi mbështetësit e këtij projekti dhe njëkohësisht tha se ky projekt është vazhdimësi nga përvoja e mëparshme.

“E fituam një përvojë pas realizimit të suksesshëm të projektit të parë, ku 27 të rinj kosovarë tanimë gjenden në Gjermani dhe të gjithë e kanë përfunduar vitin e parë suksesshëm. Dhe pastaj e vazhduam me grupin tuaj këtu bashkërisht dhe vazhdimi ka qenë i pamundur nëse nuk kishin ardhur 54 vende të lira të identifikuara nga Diakonia,” tha Xhafa.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se është i kënaqur me këtë mundësi për të rinjtë  kosovarë.

“Jam i gëzuar, pak edhe krenar që jam në këtë ceremoni. Diçka që kemi filluar, një vit më herët, pak më shumë se një vit, në fillim të mandatit së bashku me Bedriun, ka qenë mu kjo. Ideja që qytetarëve të Kosovës, të rinjve të Kosovës, t’u ofrohet mundësi të punësimit në vendet e Bashkimit Evropian, e posaçërisht në Gjermani, për shkak të lidhjeve tona, diasporës tonë,“ tha ministri Abrashi.

Për kontributin e ambasadës gjermane në Kosovë në këtë projekt. foli zëvendësambasadorja Christina Gehlsen.

“Ambasada gjermane vazhdimisht e ka përkrahur këtë projekt, por jo vetëm në procesin e vizave,“ tha  Gehlsen.

Ajo u tha atyre që do të shkojnë në Gjermani se shkollimi dhe aftësimi profesional në këtë shtet u ndihmon të merrni përvoja shumë të mira, të cilat më vonë mund t’i  përdorni në Kosovë.

“Diakonia është një organizatë e kishës, e kemi një moto të veçantë: së pari njeriu. Pra, jo së pari institucioni por së pari njeriu.

Johannes Flothow, bashkëpunëtor ndërkombëtar në Diakonia, tha se ky program vazhdon.

“ Programi vazhdon, në Gjermani deri me 15 shtator lajmërohen vende të lira për shkollimin dual. Deri më tani i kam marrë 36 kërkesa, do të thotë 36 vende të lira për vitin 2017,” tha ai

Para pjesëmarrësve foli edhe drejtori i i GIZ-it, James Makbeth për mbështetjen e dhënë këtij projekti.

Sipas APPK-së, Projekti “Migrimi Legal i Qytetarëve të Kosovës në Kuadër të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Gjermani”, është një bashkëpunim në mes të Agjencisë së Përkrahjes së Punësimit në Kosovë dhe organizatës gjermane Diakonia me përkrahjen e GIZ-it dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.