Gjykimi për armëmbajtje pa leje | Foto: KALLXO.com

500 Euro Gjobë për Nënën që Mbante Pistoletë

Gjykata në Prishtinë ia shqiptoi gjobën prej 500 eurosh Teuta Gashit, të akuzuarës për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Pas leximit të aktakuzës, Gashi pranoi fajësinë para gjyqtarit të rastit, Arben Hoti.

Pas aprovimit të fajësisë nga ana e gjyqtarit Arben Hoti, i njëjti bëri shpalljen e aktgjykimit, me ç‘ rast gjeti fajtore të akuzuarën.

Gashi përveç dënimit prej 500 eurove do të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 30 eurove.

Gashi tha në gjykatë se e mbante armën për vetëmbrojtje.

“Armën e kam mbajtur në një kohë kur jam kthyer në SHBA dhe së bashku me tre fëmijët kemi qëndruar në banesë, e burri im në atë kohë nuk ishte kthyer nga Amerika. Unë veç kisha dëgjuar shumë fjalë lidhur me sigurinë në Kosovë nga njerëz të ndryshëm, andaj këtë armë e kam marrë për vetëmbrojtje edhe pse nuk kam ditë as të manipuloj me të”, tha Gashi.

Më tej, ajo shfaqi pendesë të thellë para gjyqtarit Hoti, duke shtuar se nuk do të përsërisë më veprën penale.

“Tani e kuptoj se armëmbajtja pa leje është vepër penale, më vjen keq për të, I premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëriten vepra të tilla. Tani nga Amerika ka ardhë edhe bashkëshorti dhe ndihem më e sigurt”, deklaroi Teuta Gashi.

Sipas aktakuzës, pas një bastisjeje të bërë nga ana e policisë më 4 tetor 2015, rreth orës 18:30, në banesën e Teuta Gashit në Prishtinë në Lagjen “Bregu i Diellit” është gjetur arma e zjarrit- pistoleta e markës “TT” e kalibrit 7.62 mm, M57, ngjyrë e zezë, 34 copë fishekë të kalibrit të njëjtë dhe 50 copë fishekë të kalibrit 9mm, si dhe një karikator i zbrazët.

Për këtë pistoletë Gashi nuk posedonte leje valide nga organet zyrtare.

Gjyqtari Hoti bëri të ditur se arma do të konfiskohet dhe do të shkatërrohet.