Projekti për dekorimin e sheshit "Nënë Tereza" - Foto: Komuna e Prishtinës

50 Mijë Euro për Zbukurimin e Kryeqytetit

Për zbukurimin e kryeqytetit për festat e fundvitit, Komuna e Prishtinës ka ndarë një shumë prej 50 mijë euro.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna tregon se për këtë çështje kanë përfunduar edhe procedurat e tenderimit.

“Tani që procedurat e tenderimit kanë përfunduar, kompania fituese ka filluar me vendosjen e dekorimit nëpër sheshet kryesore në kryeqytet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Prishtinës.

Tenderin e ka fituar kompania “Anea”, e cila do të dekorojë sheshet kryesore të kryeqytetit.

“Sikurse edhe vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës i ka ftuar për bashkëpunim edhe korporatat dhe kompanitë e interesuara që të dekorojnë ndonjë prej bulevardeve”, thekson më tutje Komuna në të njëjtën përgjigje.

Komuna njofton se dekorimi i shesheve do të jetë afërsisht i njëjtë sikur vitin e kaluar.

Zyra e Informimit e Komunës së Prishtinës ka siguruar për KALLXO.com foto ku shihet projekti dhe fillimi i dekorimeve në kryeqytet.

Dekorimi i shesheve të Prishtinës për festat e fundvitit - Foto: Komuna e Prishtinës
Dekorimi i shesheve të Prishtinës për festat e fundvitit – Foto: Komuna e Prishtinës