Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

5 Vjet Burgim për Grabitjen e 12 Mijë Eurove

I akuzuari Mentor Dedaj është gjetur fajtor për veprën penale të grabitjes dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe 600 euro gjobë.

Përveç dënimit me burgim, Gjykata e Gjakovës e obligon Dedajn që të dëmtuarës Vlora Zeka t’ia kompensojë shumën prej 11.384 euro si dhe shumën prej 699 euro për telefonin e vjedhur.

Ndërsa, në mungesë të provave, Gjykata shpalli aktgjykim lirues ndaj dy të pandehurve të tjerë, Manol Dedaj e Nikollë Prenkaj.

Sipas aktakuzës, Mentor Dedaj, Manol Dedaj dhe Nikollë Prenkaj, akuzoheshin se më 2 tetor 2016 pranë hyrjes së banesën të të dëmtuarës Vlora Zeka, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, duke vepruar në grup dhe duke përdorur forcën, të dëmtuarës kanë arritur që t’ia grabisin çantën e krahut, në të cilën kishte 12.000 euro para të gatshme, ar në vlerë prej 1.100 euro dhe një “Iphone 6”.

KALLXO.com ndoqi edhe seancat e kaluara të këtij gjykimi.

http://kallxo.com/gjykimi-per-grabitjen-e-12000-eurove-nga-canta-e-nje-gruaje/