48 Vjet të UP-së: Krenari dhe Kërkesa

48 vjet më parë Kuvendi i Kosovës në një mbledhje solemne themeloi Universitetin e Prishtinës, ndërsa sot nën tingujt e himneve të Kosovës dhe Shqipërisë u hap ceremonia e këtij përvjetori.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha se duhet të krenohemi me këtë universitet edhe përkundër vështirësive që ka.

“UPHP-ja po arrin të shënojë rezultate të vazhdueshme të cilat po reflektojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës. Vetëm në periudhën e gjashtëmujorit të fundit UPHP-ja është pozicionuar për mbi 600 vende në rangimin global Webometrics”, tha Dema

Në ceremoni, Presidenti Hashim Thaçi tha se ky institucion arsimor ka dhënë gjithmonë dëshmorë,  heronj dhe martirë.

“Në historinë e tij gati gjysmëshekullore, Universiteti ka dhënë emra të paharrueshëm të dijes dhe të shkencës, por ka dhënë edhe dëshmorë, heronj dhe martirë. Ka dhënë emblema të paqes dhe të luftës për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Në ceremoninë  e 48 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, nuk ishte i pranishëm i pari i arsimit Shyqiri Bytyqi. Në emër të tij tha disa fjalë zëvendësministri Arbër Geci.

“Kam nderin e veçantë që në emër të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi t’ju përcjell urimet më të mira për këtë përvjetor, i bindur se e kaluara jonë i ka rrënjët e lidhura fort te brezat e tërë që u flijuan për të ngritur këtë institucion të dijes dhe shpresës”, tha Geci.

E ajo që kërkoi më shumë për këtë universitet ishte kryetarja e Parlamentit të Studentëve të UP-së, Arjeta Bajrami.

“Ne kemi nevojë për studime cilësore, kemi nevojë për infrastrukturë më të mirë, për laboratorë, për biblioteka të pasura  me libra të rinj, për krijimin e mundësive për punësim. Gjithashtu kemi nevojë dhe e ftojmë politikën që ta lërë të lirë Universitetin të veprojë lirshëm “, tha Berisha.

Gjatë kësaj ceremonie, u shfaq një dokumentar që tregonte për themelimin e Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1970. Por jo i gjithë dokumentari u shikua për shkak të problemeve teknike që u shfaqën.

Në këtë ditë u ndanë mirënjohjeje për profesorët Anton Berisha, Ismet Hashani, Shukrane Gërmiza, Faik Brestovci, Shpresa Hoxha, Kadri Morina, Myzafere Limani, Naser Lajqi, Luljeta Begolli, Bekim Lumi, Shukri Fetahu, Hasim Rushiti dhe Myrvete Dreshaj-Baliu.

Po ashtu, mirënjohje u ndanë edhe për studentët Teuta Ahmeti, Amir Zogu, Ardita Rashiti, Eris Hana, Sihana Hoxha, Vlerë Krasniqi, Blend Arifaj, Prosina Sopi, Brikena Sopi, Dredhëza Selimaj, Shqipërim Imeri, Dion Musliu dhe Verona Sylejmani.

Në shenjë mirënjohjeje për të arriturat sportive, Universiteti i Prishtinës ndau çmimin sportiv për Geta Beqën, kampione botërore në kategorinë “Wellness Fitness”.

Po ashtu çmim për kontribut të veçantë në digjitalizimin e shërbimeve akademike dhe administrative të UP-së iu nda profesor Isak Shabanit. Pjesë e çmimeve ishte edhe profesori i arteve Ekrem Xani, për realizimin e dokumentari për UP-në.