Gafurr Dugolli, foto:Facebook

48 Orë Ndalim për Gafurr Dugollin

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com Enver Dugolli, vëllai i të arrestuarit, njëherësh edhe nënkolonel dhe atashe i Kosovës në ambasadën në Tiranë.

Gafurr Dugolli kërkohet nga Serbia për “krime lufte”, pasi ishte ushtar i UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

“Gafurri ka dalë para gjykatës maqedonase dhe i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë. Ne po shpresojmë që do të lirohet, sepse Maqedonia nuk ka asnjë arsye të ndalojë zyrtarët e Republikës së Kosovës,” tha Enver Dugolli.

Ai e bëri të ditur për KALLXO.com se Ambasada e Kosovës në Shkup ka caktuar një avokat për zyrtarin e Qeverisë së Kosovës.

“Për momentin ne jemi duke shku rrugës, nuk e dimë kush është avokat, sepse Ambasada e Kosovës në Shkup e ka angazhuar një avokat… Ai ka bërë ankesë ndaj vendimit për caktimin e paraburgimit për 48 orësh të shohim sot se çka do të rrjedhë,” tha Dugolli.

Për familjen Dugolli, fletarrestimet e lëshuara nga Serbia nuk janë valide dhe janë të papranueshme e të pakuptimta.

“Po shpresojmë që në via komunikuese të të dy qeverive do të kryejnë punën e vet, sepse ai është zyrtar i FSK-së, shef i protokollit dhe ai nuk e mohon që ka qenë pjesëtar i UÇK-së, përkundrazi, është krenari me qenë pjesëtar  i luftës… Në asnjë mënyrë nuk pajtohemi me akuzat e aplikuara prej Serbisë,” tha Enver Dugolli.

Ai bëri të ditur se nuk është hera e parë që Gafurr Dugolli del jashtë shtetit.

“Vëllai im ka udhëtu edhe në vendet e tjera si Gjermani, Angli dhe shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian, por që asnjëherë nuk ka pasur asnjë problem,” tha Enver Dugolli.

Ai deklaroi se nuk ka informacione as për mënyrën se si janë sjellë policët gjatë kohës së arrestimit të Dugollit.

Ndalimi i Dugollit është bërë dje rreth orës 11:45 në pikën kufitare në Bllacë që ndan Kosovën dhe Maqedoninë.

Sipas Ministrisë së FSK-së Dugolli po shkonte në Shkup në një detyrë zyrtare për rregullimin e vizës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Arrestimi është bërë me urdhër të INTERPOL-it sipas kërkesës së Policisë së Serbisë, me akuzë se është i kërkuar për krime lufte, gjatë kohës kur Dugolli ka qenë pjesëtar i UÇK-së,” thuhej në komunikatën e MFSK të lëshuar dje.

Sipas zëdhënësit të FSK-së, Ibrahim Shala, pritet që në bashkëpunim me ambasadën në Shkup të merren edhe hapat e mëtutjeshëm në lidhje me lirimin e zyrtarit të arrestuar të Qeverisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë, ka ka thënë se ushtrimi i juridiksionit nga njё gjykatë serbe për krime që pretendohet tё janë kryer nё territorin e Republikës sё Kosovës, pikërisht dhe vetëm për shkak se ato janë kryer nё këtë territor, i konsideron si shkelje tё rëndë tё parimeve themelore tё sё drejtës ndërkombëtare.

Për arrestimin e Gafurr Dugollit dhe reagimet zyrtare kosovare pas këtij arrestimi, KALLXO.com shkroi edhe dje.

http://kallxo.com/fletearresti-serb-e-prangos-kosovarin-ne-maqedoni/ [interaction id=”56e40338518248f65e7be8b6″]