47 Vjetori i UP-së me Shoqërime në Polici dhe Protestë

Në Ditën kur Universiteti i Prishtinës shënoi 47 vjetorin e themelimit, studentët e Organizatës “Studim, Veprim, Kritikë” ndërprenë këtë ceremoni.

Para se rektori i Universitetit të Prishtinës  Marjan Dema të fliste në këtë ceremoni, studentët protestues në sallën ku po shënohej gati gjysmë shekulli jetë universitare, filluan të brohorisnin e fishkëllenin për ta penguar shënimin e përvjetorit.

Studentët e SKV-së gjatë protestës së tyre rektorin Demaj e quajtën “rektor të pushtetit”, ndërsa universitetin “universitet të prontos”, duke shkaktuar ndërprerjen e ceremonisë .

Protestuesit pastaj u nxorën jashtë sallës nga sigurimi i jashtëm i rektoratit për të vazhduar protestën në oborr të këtij institucioni.

Sipas një komunikate të policisë gjatë protestës u lënduan pesë policë, ndërsa 10 protestues u shoqëruan në polici, derisa SKV-ja njoftoi për 7 studentë të lënduar.

Rektori Marjan Dema, kur situata u qetësua në sallë, teksa theksoi se nuk do të harrohen sakrificat e profesorëve dhe studentëve që ranë për liri, tha se po angazhohet për cilësi.

“Që nga marrja e detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës një fokus të veçantë i kam kushtuar funksionalizimit, rritjes dhe fuqizimit të bashkëpunimit të trekëndëshit funksional- menaxhment, këshill drejtues-senat, gjithnjë në funksion të ngritjes së cilësisë së punës dhe rritjes të përgjegjësisë,” tha Dema.

Edhe ministri Arsim Bajrami kujtoi të kaluarën e universitetit.

“Të gjithë ne jemi krenarë për rrugëtimin gati gjysmëshekullor të këtij universiteti i cili ka qenë sa institucion akademik aq institucion kombëtar. Ne kemi respekt dhe jemi falënderues për themeluesit e këtij universiteti, për mësimdhënësit që nuk janë më në mesin tonë, studentët që ranë në luftën çlirimtare dhe gjithmonë do të kujtojmë me dinjitet rolin që ka pasur ky universitet,” tha Bajrami.

Vitin e kaluar Organizata Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ndërpreu fjalimin e Enver Hasanit në Ditën e Kushtetutës.

http://kallxo.com/ndalohen-studentet-qe-nderprene-fjalimin-e-enver-hasanit/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri