Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës. Foto: Kallxo.com

415 Milionë Euro u Shpenzuan Përmes Tenderëve me Shkelje Ligjore

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë se 415 milionë euro janë shpenzuar përmes procedurave të prokurimit që nuk ishin në pajtim të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik.

Osmani këtë e ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë prezantimit të Raportit të Auditimit për vitin fiskal 2016.

Auditori ka thënë se në prokurim publik Osmanit ka dobësi në vlerësimin e ofertave, pastaj përdoren shumë procedura të vogla të kuotimit, ka hyrje në procedura të prokurimit pa zotim të mjeteve, ka monitorim  të dobët të kontratave publike si dhe nuk aplikohen ndëshkime për mos kryerjen e punëve sipas kushteve kontraktuale.

Një tjetër problem që është gjetur gjatë vitit 2016 janë borxhet e mëdha të grumbulluara.

“Zyra Kombëtare e Auditorit gjatë vitit 2016 ka  publikuar gjithsej 105 raporte individuale të auditimit, gjatë vitit 2016 është arritur të regjistrohen vetëm 8.1 miliardë euro pasuri, obligime të papaguara janë 215 milionë euro. Edhe pse 188 milionë euro janë falje e borxheve Qeveria prapë nuk po arrin me i inkasu borxhet e reja ato tani janë rritur për 548 milionë euro apo sa 1/3 e të hyrave të buxhetit për 1 vit”, tha Osmani.

Osmani po ashtu theksoi 4 çështje kryesore të gjetjeve nga raportet e auditimit: keq klasifikimi i shumave të parasë duke i përzier mallrat shërbimet dhe subvencionet, mospërputhja e raporteve vjetore për 8.8 milionë euro, rritja e borxhit publik në 853 milionë euro, dhe 32 milionë euro pa llogaridhënie në prokurim publik sipas tij paraqesin problem të madh dhe keqpërdorim të parasë publike.

Auditorët, sipas tij, kanë gjetur se qytetarët nuk marrin shërbime shëndetësore cilësore, tekstet shkollore nuk kanë arritur perfomancë të mirë në rritjen e cilësisë së arsimit pavarësisht kostos që ka qenë e lartë për modifikimin e tyre, si dhe nuk është arritur të ketë masa për mbrojtjen e mjedisit.

Shqetësimet e ZKA-së  për rritjen e rekomandimeve për 13% krahasuar me vitet paraprake sipas Osmanit tregojnë se institucionet nuk janë të përgjegjshme në raportimet buxhetore, ai rekomandon Qeverinë ti marrë seriozisht raportet e auditimit dhe të shtojë kontrollin në llogaridhënien e të gjitha organizatave buxhetore.