Sanimi i rrugës te liqeni i Badovcit | Foto: Ministria e Infrastrukturës

41 Shtylla do ta Përforcojnë Rrugën te Badovci

Ka filluar rregullimi i pjesës së dëmtuar të rrugës Prishtinë – Graçanicë – Llabjan afër liqenit të Badovcit, pjesë kjo që ka rrëshqitur vazhdimisht dhe ka shkaktuar probleme në komunikacion.

Sadri Jahaj, menaxher regjional për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale të regjionit të Prishtinës nga Ministria e Infrastrukturës tha se në pjesën prej 72 metrave ku ka pasur rrëshqitje të rrugës tek liqeni i Badovcit do të vendosen 41 pilota (shtylla) në një thellësi prej 6 deri në 12 metra që ky problem të rregullohet përfundimisht.

“Sanimi i rrugës do të bëhet me vendosjen e pilotave. Do të jenë diku 41 pilota me një thellësi prej 6 deri 12 metra. Gjatësia e segmentit që do të sanohet është 72 metra. Pilotat do të jenë me diametër 100 centimetra, kështu që ajo rrëshqitje do të sanohet përgjithmonë, nuk do të ketë më probleme” tha Jahaj.

Ai shtoi gjithashtu se konstruksioni i kësaj pjese të rrugës do të bëhet nga shtresa e zhavorrit, kurse shtresa qarkulluese do të punohet prej asfaltit.

Sadri Jahaj nga Ministria e Infrastrukturës tha se punimet në këtë pjesë të rrugës kanë filluar në mars të vitit 2017 dhe pritet të përfundojnë në qershor të po këtij viti.

“Për sanimin e rrëshqitjes së rrugës N25.2 Prishtinë – Graçanicë – Llabjan, lokacioni te liqeni i Badovcit, punimet do të kryhen në tërësi sipas projektit të punuar nga kompania projektuese ‘3D Project’ Prishtinë. Punimet kanë filluar në mars 2017 dhe parashihet të përfundojnë në qershor të vitit 2017, ku kompania punëkryese është “Arbotec sh.p.k” Prishtinë” shpjegoi Sadri Jahaj.

Rrëshqitje të dheut përveç në Badovc ka shpesh edhe në magjistraklen Prishtinë-Hani i Elezit.

http://kallxo.com/rreshqitja-e-dheut-mbyll-rrugen-prishtine-shkup/