Foto: REL/AFP

36 Persona të Vdekur nga Sulmet Turke në Afrin të Sirisë

Aeroplanët luftarakë të Turqisë kanë goditur forcat siriane pro-qeveritare në rajonin Afrin të Sirisë, duke vrarë të paktën 36 prej tyre, ka njoftuar Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Reutersit, forcat siriane pro-qeveritare kanë depërtuar në rajonin Afrin në javën e kaluar në mbështetje të milicisë kurde, të cilët janë cak i operacionit të nisur nga Turqia në muajin janar.

Sipas Vëzhguesit, sulmet ajrore kanë goditur kampin Kafd Jina, duke shënuar herën e tretë brenda 48 orësh, që aeroplanët luftarakë të Turqisë kanë sulmuar forcat pro-qeveritare në Afrin.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), që janë në aleancë me Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG), kanë thënë përmes një deklarate, se sulmet ajrore turke kanë goditur pozicionet e kontrollura nga ushtria siriane për pesë orë.

Kryeministri turk, Binali Yildrim ka thënë se forcat shtetërore kanë pushtuar qytetin Rajo nga militantët.

Vëzhguesi Sirian ka thënë se ushtria turke është duke kontrolluar rreth 70 përqind të qytetit që gjendet rreth 25 kilometra në veriperëndim të Afrinit.

Turqia konsideron se YPG-ja është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila ka zhvilluar kryengritje për tri dekada në Turqi.

Për më shumë, PKK konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Turqia.

Mirëpo milicët kurdë të Sirisë (YPG), kanë qenë një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën e kësaj të fundit kundër militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik.