Ganimete Musliu, deputete e PDK-së - Foto: KALLXO.com

300 Euro Gjobë për Ganimete Musliun

Ankesa e BIRN dhe I/KS, e paraqitur kundër kandidates për deputete, Ganimete Musliu, u pranua si e bazuar nga PZAP.

Ganimete Musliu, nga koalicioni PAN, u gjobit me 300 euro.

Parashtruesi i ankesës BIRN dhe /KS, në ankesën e deponuar në PZAP, pretendoi se gjatë ditës së zgjedhjeve më 11 qershor, kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, nga koalicioni PAN, bëri shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, për shkak se gjatë zgjedhjeve sponsorizoi artikuj në rrjetin social Facebook të cilët u janë shfaqur përdoruesve të këtij rrjeti gjatë ditës së zgjedhjeve kur është ende në fuqi heshtja zgjedhore.

Gjoba obligohet të paguhet brenda 15 ditëve nga dita e pranimit të këtij vendimi.

Zyra Ligjore e BIRN dhe I/KS, ka deponuar 37 ankesa në PZAP, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

PZAP, ka gjetur shkelje dhe ka shqiptuar dënime për disa prej subjekteve politike.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, më 8 qershor, mori vendim me të cilin e pranoi si të bazuar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova, duke i shqiptuar Listës Serbe gjobë në vlerë prej 25 mijë eurove.

Gjobitet Lista Serbe nga Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova