Foto: Ilustrim

30 Ditë Paraburgim për Policin që Dyshohet se Plagosi ish-Gruan

Ndaj policit me inicialet A.G., i cili dyshohet se më 4 shkurt të këtij viti në rr. “Xhavit Ahmeti” të kryeqytetit ka plagosur me armë ish-gruan e tij, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë, Arbër Beka, ka thënë për KALLXO.com se me të marrë informatën nga policia lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, duke përfshirë edhe intervistat dhe dëshmitë e dëshmitarëve.

“Prokurori ka marrë vendim që ndaj të dyshuarit fillimisht të shqiptojë masën e ndalimit policor për 48 orë ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake pas kësaj ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë”, tha Beka.

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarit dhe ky kallëzim është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Polici me inicialet A.G. dyshohet se është autori i plagosjes së ish-gruas së tij me armën zyrtare të Policisë.

Ish-gruaja e tij pas plagëve të marra është në gjendje kome.