3 Muaj për Përkthimin në Shqip të Kontratës për TC 'Kosova e Re'

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një konferencë për shtyp pas një takimi me Safet Gërxhaliun, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe disa prodhuesve vendorë ka thënë se përkthimi në gjuhën shqipe i kontratës për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka filluar dhe pritet të kryhet brenda tre muajsh.

“Kontrata i ka 1000 faqe, përkthimi ka filluar por do të zgjasë deri në 3 muaj, përkthimin po e bën zyra jonë, nuk besoj që ka një kosto të lartë”, ka potencuar ministri Lluka.

Më tej ai ka shtuar se kontrata është në gjuhën angleze për shkak edhe të ekspertëve të jashtëm të cilët kanë punuar në të.

Ministrit Lluka tha se gjatë takimit me Safet Gërxhaliun nga Oda e Ekonomike e Kosovës u diskutua për kontratën e termocentralit “Kosova e Re” e cila u bë publike gjatë javës së kaluar.

“Diskutuam marrëveshjen e nënshkruar për Termocentralin ‘Kosova e Re’. E informova për disa pjesë të kontratës për të cilën i tregova se çka mund të presim në sektorin energjetik”, tha Lluka.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, theksoi se energjia elektrike është element kyç për mbështetjen e prodhimit të bizneseve vendore.

“Nënshkrimi i kontratës për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka rëndësi strategjike, ekonomike dhe integruese. Është një nga kontratat me vlerë të pakontenstuar, model për transparencë. Për ekonomi duhet të bëhet më tepër se së flitet. Energjia elektrike është nja nga indikatorët kyç për mbështetjen e biznesit. Kosova nuk e ka komoditetin të vazhdoj me import të energjisë, nuk mund të ketë pavarësi ekonomike pa pavarësi energjetike”, ka theksuar Gërxhaliu.

Më poshtë mund të lexoni edhe kontratat të cilat mund të gjenden edhe online në faqen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

http://kallxo.com/keto-jane-kontratat-per-termocentralin-kosova-e-re/