Policia shqiptare, ilustrim

3 Doganierë dhe 1 Polic Arrestohen në Shqipëri

Policia në Bilisht të Shqipërisë arrestoi shtatë persona në operacionin e koduar me emrin “Mjegulla”.

Operacioni u zhvillua kundër kontrabandës me veshje, ndërsa të arrestuarit, sipas policisë,  u kapën në flagrancë teksa transportonin në bashkëpunim 22 ngarkesa me veshje.

Ngarkesat me veshje që dyshohen si të kontrabanduara u transportuan nga Greqia në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Kapshticës me dy automjete të tipit “Mitsubishi” e “Volswagen” dhe një kamion.

Të arrestuar janë: F. G., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës turni në doganën Kapshticë, F. B., 56 vjeç, me detyrë doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, G. K, 33 vjeç, banues në fshatin Baban, Devoll me detyrë doganier, S. D., 53 vjeç, banues në Zëmblak, Maliq, me detyrë punonjës policie, kontrollor në Kapshticë, K. K., 42 vjeç, banues në Bulgarec, Korçë, Xh. S., 34 vjeç, banues në Vloçisht, Maliq dhe G. Sh, 34 vjeç, banues në Dvoran, Korçë.

Janë shpallur në kërkim edhe personat me inicialet G.A., 32 vjeç dhe S.Sh., 53 vjeç.

Sipas policisë, të arrestuarit sasinë e veshjeve e sillnin me kamion deri afër Kapshticës dhe pastaj me mjete më të vogla transportuese këto veshje i bartnin në Shqipëri pa doganë.