29 Kandidatë në Garë për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion

Në konkursin për postin e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) kanë aplikuar 29 kandidatë.

Këtë informacion e ka dhënë sot Selvije Halimi, zëvendëskryetarja e parë e Komisionit parlamentar për Legjislacion.

Halimi ka treguar po ashtu se drejtorit të AKK-së i skadon mandati i dytë në fund të shtatorit dhe se më nuk i vazhdohet.

Intervistimin e kandidatëve e bën Komisioni për Legjislacion dhe sipas deputetes Selvije Halimi Komisioni ka krijuar një grup punues prej tre anëtarëve, i cili do të vendosë për kohën dhe mënyrën e intervistës.

Komisioni për Legjislacion njoftoi se të premten vizitojë Agjencinë Kundër Korrupsionit, për të diskutuar lidhur me infrastrukturën ligjore dhe problemet me të cilat ballafaqohet.

Sipas Selvije Halimit do të diskutohet edhe për gjetjen edhe të një mënyre tjetër të deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të kësaj Agjencie.

Halimi tha se ata e deklarojnë në Komisionin për Legjislacion pasurinë e tyre dhe në një farë forme është një konflikt interesi.

“Ata në të njëjtën kohë i shikojnë formularët e deklarimit të pasurisë  për ne si deputet dhe në të njëjtën kohë një grup i deputetëve në kuadër të Komisionit bëjnë edhe shikimin e  formularëve të tyre, gjë që ndoshta do të duhej të mendohet një model tjetër. Nëse është e pamundur, le të vazhdohet kështu”, tha Halimi.

Komisioni do të duhet ta shqyrtonte edhe Raportin Vjetor të Punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015, por kjo pikë është shtyrë për një mbledhje tjetër pasi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk ka qenë prezent për të raportuar.

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit Selvije Halimi ka thënë se kryetarja është në udhëtim jashtë vendit dhe sipas ligjit askush nuk mund ta zëvendësojë për raportim.