27 Vjet Burg për Dy Vëllezërit Orllati

Dy vëllezërit, Nazim dhe Shpëtim Orllati, nga Brestovci i Rahovecit, u dënuan sot me 27 vjet burgim për vrasjen e dy vëllezërve, Petrit e Pajtim Elshani, nga po i njëjti fshat.

Gjykata Themelore në Gjakovë e gjeti fajtor të pandehurin Nazim Orllati për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 20 vitesh, ndërsa të pandehurin Shpëtim Orllati e shpalli fajtor për veprën penale “ndihmë në vrasje” dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie.

“Gjykata të akuzuarit i ka gjykuar veç e veç dhe dhe i ka gjetur fajtorë. Të akuzuarin Nazim Orllati Gjykata, gjykata e dënon me burgim në kohzgjatje prej 20 viteve, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 8.10.2010, ndërsa të akuzuarin Shpëtim Orllati e dënon me burgim në kohzgjatje prej 7 viteve, në të cilin denim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 8.10.2010 e deri më 11.11.2015”, tha kryetari i trupit gjykues, Nikollë Komani.

Sipas prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 8 tetor 2010 në marketin “Lumi” të vëllezërve tashmë të dënuar.

Vrasjes së dyfishtë i kishte paraprirë një mosmarrëveshje e mëhershme.

Ky rast është kthyer dy herë në rigjykim.

Vëllezërit Orllati ishin dënuar me 42 vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prizren, për tu kthyer më pas në rigjykim.

Nga një trup gjykues i përbërë nga EULEXi dhe vendorët, vëllezërit Orllati shpallen fajtorë për vrasje të rëndë dhe bashkëkryerje në vrasje dhe dënohen me 28 vjet burgim.

Raportet e KALLXO.com nga gjykimi i dy vëllezërve Orllati mund t’i gjeni këtu.