Gjykimi për armëmbajtje pa leje | Foto: KALLXO.com

2500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje

Blerim Musliu është dënuar me gjobën prej 2500 eurove nga Gjykata Themelore në Gjakovë për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, Musliu më 17 korrik 2012 në fshatin Plançor të Komunës së Gjakovës pas një zënke me Flamur Frrokajn i kishte shkuar atij në shtëpi dhe e kishte kërcënuar me armë.

Musliu në gjykatë para se të dënohej, e pranoi fajësinë, kërkoi falje dhe tha se vepra e tillë nuk do të përsëritet më.

Prokurori Ali Uka tha se pranimi i fajësisë nga Musliu “është bërë me vullnet dhe pa presion, andaj i propozoj gjykatës që këtë pranim ta aprovojë”.

Edhe avokati Ndrec Dodaj kërkoi që gjykata ta aprovojë pranimin e fajësisë, gjë të cilën e bëri kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika.

I dëmtuari tha se i bashkohet ndjekjes penale, ndërsa deklaroi se nuk do të bëjë kërkesë pasuroro-juridike.

Ndrec Dodaj, avokati i Blerim Musliut, pasi i mbrojturi i tij pranoi fajësinë, nuk i kontestoi faktet e aktakuzës, por kërkoi dënim me para, duke e cilësuar një dënim të tillë të vetmin të arsyeshëm.

Përveç dënimit me gjobën prej 2500 eurove, Musliut iu konfiskua edhe arma.

Musliu qëndroi në paraburgim nga 17 korriku 2012 deri më 17 gusht të të njëjtit vit.