25 Vjet Burg për Vrasjen e Ish- të Fejuarës

Shpejtim Behrami është shpallur fajtor për vrasjen e 19 vjeçares, Leonora Rekaliu, e cila në prill të vitit 2013 është gjetur e vdekur në lumin Llap.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka dënuar Shpejtim Behramin me burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetësh.

“Të akuzuarin [gjykata] e gjykon me burgim me kohëzgjatje prej 25 vjetësh në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 29.08.2013”, tha Kalludra.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Kalludra bëri të ditur se edhe pas prishjes së fejesës me të ndjerën, i akuzuari ka vazhduar të ushtrojë dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

“I akuzuari edhe pse e ka prishë fejesën, në vazhdimësi e ka maltretuar, përcjellë e provokuar, ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj së njëjtës, duke iu kanosur me mjete të rrezikshme si thikë, duke iu kanosur se do ta hedhë nga kati i pestë i ndërtesës, të gjitha mënyra e metoda që t’i shkaktojë frikë dhe tani të ndjerën të mos e lejojë të vazhdojë fatin e vet”, shpjegoi Kalludra.

Sipas aktakuzës, Shpejtim Behrami e ka privuar nga jeta tani të ndjerën më 29 mars 2013, ku fillimisht ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj e më pas ia ka futur kokën në ujë dhe e ka mbajtur me forcë deri sa e ka mbytur.

Leonora Rekaliu është gjetur e vdekur ne lumin Llap më 4 prill 2013.