Vetëdijesimi kundër ndotjes | Foto: KALLXO.com

25 Strategjitë në Letër për Mjedisin

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin ‘Qëndrueshmëria e Masave Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit” ambientin në Kosovë e konsideron të degraduar, duke renditur edhe arsyet për një degradim të tillë.

Kosova që nga viti 2009 e deri më tani ka miratuar 25 strategji dhe plane të veprimit në fushën e mjedisit ku 15 prej tyre janë përgjegjësi e zbatimit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 5 strategji për zbatim i takojnë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe 5 të tjera i takojnë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Nga raporti i auditimit del se këto strategji janë larg zbatimit, ndërsa mbeten të shkruara dhe të miratuara vetëm në letër.

Raporti për mjedisin i Zyrës Kombëtare të Auditimit konstaton se problemet reale mjedisore po mbahen fshehur për publikun nga qeveria.

“Raportimi vjetor në Kuvend nga Qeveria mbi gjendjen e mjedisit nuk është transparent për publikun. Raporti i gjendjes së mjedisit për vitin 2015 i aprovuar në Kuvend, nuk është i hapur për publikun, por raporte të hapura nuk ka as nga vitet e mëhershme,” thuhet në raportin e auditorit.

Nga raporti del se qeveria arsyetohet që nuk ka buxhet të mjaftueshëm për implementimin e planeve strategjike, edhe pse sipas praktikave ndërkombëtare thuhet se “ndotësit paguajnë”.

Taksat aktuale ekologjike dhe mjetet nga lejet mjedisore sipas auditorit derdhen në buxhet, por nuk përdoren në mënyrë të drejtpërdrejtë për qëllime mjedisore.

Shumat e mbledhura vetëm nga taksat ekologjike që paguhen për secilin automjet të regjistruar në emër të ndotjes që ai i shkakton mjedisit, për tre vjet 2013-2015 kapin vlerën 9 milionë e 652 mijë euro, por ato nuk harxhohen për të sanuara dëmet e shkaktuara në ambient.

Auditori tregon se Ministrisë së Ambientit në periudhën  2013-2015 vazhdimisht i është zvogëluar buxheti. Në 2013-ën kjo ministri kishte buxhet 46.8 milionë euro, në vitin 2014 45 milionë euro e në 2015-ën 38.1 milionë euro.

Kjo ministri nuk ka përdorur për ruajtje të mjedisit as të gjitha mjetet e ndara sipas Planit Kombëtar për Veprim në Mjedis. 60 për qind të mjeteve për programet e veçanta që i kushtohen ruajtjes së mjedisit, sipas auditorit janë shfrytëzuar për qëllime tjera.

Buxheti i ministrisë nuk mjafton për eliminimin e problemeve mjedisore të identifikuara, ngase për zbatim të Planit Kombëtar për Veprim në Mjedis duhen 264.3 milionë euro. Që Kosova të mund të ketë ajër të pastër nevojiten 6 euro për kokë banori për një periudhë dhjetëvjeçare.

Auditori ka gjetur se mbikëqyrja e ndotjes së ajrit në Kosovë nuk është e efektshme për arsyen se auditorët tre nga dymbëdhjetë matësit e kësaj ndotjeje kanë konstatuar se janë jofunksionalë, derisa sipas tyre, edhe të tjerët rrezikojnë të prishen për mungesë mirëmbajtjeje.

Ditëve të fundit në Prishtinë u konstatua ndotje enorme e ajrit, ndërsa disa organizata zhvilluan aktivitete vetëdijesuese për mbrojtje të mjedisit.

http://kallxo.com/kukulla-mesazhe-si-vetedijesim-per-ndotjen/

Sipas raportit për mjedisin, zyrtarë të Ministrisë së Ambientit e kanë pranuar para auditorëve se  projektet e veçanta mjedisore hartohen në baza të shpejta (ad-hoc) dhe ruajtjes së ambientit sipas tyre u jepet prioritet mjaft i ulët.

Raporti bën me dije se trajtimi i zonave të rrezikuara nga mbeturinat industriale, mbeturinat e rrezikshme, mbeturinat e ndërtimit, mbeten një prioritet ende në fazën fillestare.

Auditori konstaton se Kosova nuk trajton ujërat e ndotur, trajtim i paraparë sipas  Planit Kombëtar për Veprim në Mjedis. Sipas raportit të auditimit, qeveria së bashku me donacionet e marra kryesisht është fokusuar në rregullimin e shtretërve të lumenjve si dhe në përmirësimin e infrastrukturës ujore si në shërbimet e ujësjellësit dhe ato të kanalizimit.

Auditori konstaton se nuk ka të dhëna të plota për ndotësit e tokës, prandaj raporti e ka të vështirë të konstatojë këtë ndotje në Kosovë.

Në raportin e auditorit ceket se ndotja e mjedisit ndikon drejtpërdrejt në shëndet dhe mund të ndikojë edhe në ekonominë e vendit.

“Në veçanti, ajo paraqet problem kritik sidomos nëpër viset urbane dhe zonat e industrializuara; paraqet rrezik edhe për mortalitetin e hershëm,” thuhet në raport.

Gjendja jo e mirë mjedisore përmendet edhe në Raportin e Progresit 2016 ku thuhet se ajo është larg standardeve të BE-së.

Ndërsa Banka Botërore në raportin e analizave mjedisore evidentoi një sërë problemesh.

“Mbeturinat industriale të prodhuara nga proceset industriale (për shembull, të Trepçës), konsiderohen të jenë nga burimet më të mëdha të ndotjes në zonën e Mitrovicës dhe Obiliqit, edhe zonat e hedhjes së mbeturinave urbane (deponitë ilegale) si dhe djegia e pakontrolluar e tyre, gjithashtu paraqesin një burim serioz të ndotjes së mjedisit. Përveç kësaj, edhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit të ndërmarrësve dhe qytetarëve ndikon në gjendjen e tanishme të degradimit mjedisor,” thuhet në këtë raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që të bëhen përpjekje për të instaluar një mekanizëm të qëndrueshëm të financimit për mbrojtjen e mjedisit,  të informohet publiku dhe aktorët tjerë në kohë reale mbi gjendjen e mjedisit, të bëhet monitorimi dhe vlerësimi i projekteve mjedisore, të bëhet raportimi drejt nga Kuvendi për vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.