Trashëgimia laike e babait të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, mori një tjetër goditje kur turqit u lëshuan rrugëve në mbrojtje të Erdogan pas thirrjes së lëshuar nga minaret | Foto: Wikimedia Commons

25 Gazetarë Dënohen me Burg në Turqi

Gazetari i shquar turk Murat Aksoy është dënuar me 25 muaj burg nën akuzat për ndihmë ndaj organizatës terroriste pa qenë anëtar i saj.

Këngëtari dhe kolumnisti Atilla Tas është dënuar me 37 muaj burg për të njëjtat akuza.

11 gazetarë tjerë në të njëjtin rast janë dënuar me nga gjashtë vjet e tre muaj burg për anëtarësim në organizatën terroriste, ndërsa 12 të tjerë janë dënuar me nga shtatë vjet e 6 muaj burg për të njëjtat akuza.

Një i pandehur është liruar nga gjykata, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Gazetarët kryesisht kanë punuar për shtëpitë botuese të cilat janë mbyllur nga qeveria nën akuzat për lidhje me klerikun mysliman Fethullah Gulen, i cili ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan rtv21.tv.

Ankaraja e akuzon Gulenin për drejtim të rrjetit që e ka orkestruar komplotin e dështuar për grushtet në Turqi, gjatë të cilit u vranë rreth 250 persona.

Gulen mohon çdo përfshirje. Në zhvillime tjera, policia në Stamboll ka lëshuar urdhër arreste për 121 persona të dyshuar për lidhje me të njëjtin rrjet dhe ka arrestuar 33 prej tyre në kuadër të disa operacioneve të zhvilluar në 28 provinca në mbarë vendin.

Më shumë se 50 mijë njerëz janë burgosur dhe mbi 150 mijë të tjerë janë shkarkuar apo pezulluar nga vendet e tyre të punës në kuadër të masave që pasuan përpjekjet e dështuara të 2016-ës për grushtshtet.

Kritikët thonë se presidenti Recep Tayyip Erdogan po e shfrytëzon komplotin si pretekst për të shuar mospajtimet. Turqia thotë se masat e ashpra janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë me të cilat përballet.