Ilustrim

239 Raste të Kancerit të Gjirit më 2017

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit,  ka vizituar Klinikën e Onkologjisë, me ç’rast nga afër u njoftua në lidhje me punën që po bëhet nga kjo klinikë, fushatën për vetëdijesim dhe me trajtimin e rasteve me kancer të gjirit dhe rasteve tjera të kancerit.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, dr. Ekrem Hyseni  ka njoftuar se vetëm në këtë nëntëmujor janë 239 raste me kancer të gjirit.

Ai mes tjerash njoftoi se klinika në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës dhe Shoqatën “Jeta Vita”, kanë organizuar aktivitete të ndryshme nëpër komunat e Kosovës, përmes ligjëratave të ndryshme dhe formave tjera informuese.

”Ai njoftoi se bazuar në statistika, në vitin 2013 ka pasur 700 raste, më 2014 -770 raste me kancer, më 2015  808 raste, më 2016  1.236,  përderisa në nëntëmujorin e  këtij viti gjithsej 1.128 raste”, bëhet e ditur në komunikatën e zyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.

Drejtori Hyseni shpjegoi se kjo nuk duhet kuptuar si rritje e numrit por vetëdijesim dhe raportim i  paraqitjes e rasteve dhe tendencë për zbulim më të hershëm të rasteve, ngase nga një raport analitik del se Kosova ka numrin më të vogël të rasteve me kancer në regjion.

Ai shtroi nevojën e funksionalizimit 24-orësh të Klinikës së Onkologjisë, e cila për momentin ofron shërbime 12-orë në ditë.

Sa i përket brahiterapisë, ai tha se është duke u punuar dhe i njëjti shërbim deri në fund të vitit pritet të jetë në shërbim të pacientëve dhe të kompletojë gamën e shërbimeve onkologjike.

Ndërsa, u.d. drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu  tha se do të angazhohet  që në planet afatmesme të punojë për funksionalizim  24-orësh të kësaj klinike, por për ta bërë këtë sipas tij nevojiten infermierë shtesë, e po ashtu duhet të bëhet adaptimi i hapësirave të kKlinikës apo eventualisht të shihet mundësia e  shfrytëzimit të ndonjë hapësire tjetër për vendosje të shtretërve për pacientë. /21Media