BIRN dhe GLPS Publikojnë Raportin për Privatizimin në Kosovë

Privatizimi më shumë e ka dëmtuar se sa që e ka ndihmuar kapacitetin prodhues të Kosovës dhe prosperitetin e saj ekonomik, thuhet në një raport që është publikuar sot nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Grupi për Studime Juridike Politike (GLPS).

Raporti i titulluar “Shitje në Panik: Vlerësim i Sfidave dhe Problemeve Kryesore të Procesit të Privatizimit në Kosovë” ofron përmbledhje të sfidave dhe problemeve kryesore që e kanë përcjellë këtë proces që nga nisja e tij në vitin 2002, nën ombrellën e UNMIK-ut përmes ish- Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM) deri në ditët e sotme.

Duke u bazuar në raste konkrete të hulumtuara përgjatë viteve të kaluara, raporti konkludon që procesi i privatizimit në Kosovë ka qenë në qendër të kritikave të ashpra që nga koha e fillimit të tij dhe mund të cilësohet si një nga proceset më sfiduese në të gjitha vendet postkomuniste që i janë nënshtruar transformimit të pronës shoqërore.

“Si rezultat i këtij procesi, rreth 40,000 punëtorë kanë humbur punën  e tyre. Shqetësues është fakti që shumica e tyre janë mbi 50 vjeç, një moshë relativisht e shtyrë për të gjetur punë apo për të ri-hyrë në tregun e punës. Prandaj, mund të vihet në përfundim që procesi i privatizimit ka rezultuar në më shumë punë të humbura sesa të krijuara”, tha Delfinë Elshani nga GLPS, bashkëautore e raportit.

Raporti gjithashtu përqendrohet në akuzat që janë bërë ndaj njerëzve të përfshirë në privatizim dhe mënyrën se si gjyqësori i ka trajtuar rastet  e dyshimeve të ngritura.

“Ka pasur shumë raste kur investitorët janë kërcënuar, pronat e tyre mbahen të uzurpuara ndërsa ka dhjetëra deklarata me dyshime për keqpërdorime gjatë procesit të privatizimit. Megjithatë, organet e ndjekjes ende vazhdojnë të vëzhgojnë”, tha Kreshnik Gashi, redaktor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, në të cilin janë trajtuar shumë raste të uzurpimit të pronave dhe frikësimit të investitorëve.

Hulumtimi jep një vlerësim edhe të fondeve të akumuluara nga privatizimi i Ndërmarrjeve Shoqërore, vonesat në shpërndarjen e fondit të 20 përqindëshit dedikuar punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara dhe mundësitë që ky proces të përmirësohet në të ardhmen.

Në mesin e rekomandimeve të dhëna për politikë-bërësit dhe institucionet relevante, raporti thekson nevojën që të gjitha ndërmarrjet e pa privatizuara si dhe ato të cilat kanë dështuar t’u kthehen komunave përkatëse, në mënyrë që asetet e tyre të përdoren për të tërhequr investime të huaja direkte.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Raporti gjithashtu rekomandon që institucionet e sundimit të ligjit të përdorin qasje më proaktive në hetimin e rasteve të korrupsionit, duke e pasur parasysh besimin e përgjithshëm se korrupsioni ka qenë prezent gjatë gjithë procesit të privatizimit dhe se, deri tani,  vetëm disa raste janë hetuar por ende nuk janë përmbyllur.

Sahit Sylejmani nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme thotë se gjendja në këtë dhomë është e rëndë.

“Një gjë është shumë e qartë se me këtë numër të gjyqtarëve që e ka Dhoma, nuk mund të pritet më tepër. Në vitin 2015 janë përfunduar 1,900 lëndë apo 45 për qind nga lëndët e pranuara. Efikasiteti i punës në gjykatë duhet të rritet për shkak të rëndësisë dhe interesit të Procesit të Privatizimit për zgjedhjen më të shpejtë të lëndëve”, tha Sahit Sylejmani.

Ndërsa Agron Demi, drejtor i Institutit GAP tha se procesi i privatizimit ka qenë “i destinuar të dështojë” që nga fillimi.

“Shumica prej ndërmarrjeve janë shitur pas një periudhe mbi dhjetëvjeçare të ndërprerjes së aktivitetit të tyre. Shumica e ndërmarrjeve janë shitur si objekte dhe toka. Mjafton të shihet deklarimi i pasurisë së zyrtarëve politikë dhe shihet se shumë prej tyre janë pronarë, aksionarë të ndërmarrjeve të privatizuara”, tha Demi.