Qeveria Miraton 25 Vendime

Në mbledhjen saj, Qeveria e Kosovës ka miratuar 25 vendime, ndër to edhe për ndarjen e rreth 20 mijë eurove për dy raste të ndryshme.

9 mijë e 700 euro janë ndarë për Shpresa Zyberaj, e sëmurë me kancer dhe 9 mijë e 900 euro janë ndarë për konferencën shkencore për Adem Demaçin.

“Zyra e Kryeministrit pasi ka marrë dhe ka trajtuar rastin, propozon që t’i ndahen 9.700 euro Shpresa Zyberajt, e sëmurë me kancer. Këto mjete propozojmë të merren nga Rezerva shtetërore dhe t’i barten në llogari”, ka thënë zëvendëskryeministri Kujtim Shala në mbledhjen e Qeverisë.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit ka ndarë edhe 9.900 euro për konferencën shkencore për Adem Demaçin me rastin e ditëlindjes së tij të 80-të.

Gjithashtu janë miratuar 5 nisma për lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunimin në fushën e zbatimit të Ligjit për parandalim dhe luftim të krimeve të rënda me Italinë, Danimarkën, Belgjikën Lituaninë, Estoninë.

Qeveria ka miratuar edhe 18 propozim-vendime për vënien nën mbrojtje strikte të zonave malore në Parkun Kombëtar “Sharri”.