Memoriali në Prekaz. Foto: Atdhe Mulla

20 Vjet Pas, Zjarret Ende Ndrisin në Prekaz

Të mërkurën, ushtarë të veshur në uniforma dhe turma qytetarësh me rroba kombëtare do të mblidhen në fshatin e Prekazit për t’i mbartur flakadanët e Natës së Zjarreve. Ato do ta përmbyllin Epopenë e UÇK-së që përkujton sulmin treditor në Prekaz, i cili shpesh quhet zanafilla e Luftës së Kosovës.

Pas orvatjeve të mëhershme, gjatë sulmit policia speciale serbe vrau Adem Jasharin, ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili qe dënuar në mungesë për terrorizëm nga një gjykatë jugosllave në vitin 1997. Gjatë operacionit, 58 anëtarë të tjerë të familjes Jashari u vranë krahas Ademit, shumë prej të cilëve kishin shprehur vullnet ta mbronin shtëpinë e Jasharajve gjatë një sulmi të mëparshëm më 22 janar, 1998, ku mbetën të lënduara dy mbesa të Jasharit.

Kulla e familjes mbetet thuajse e pandryshuar pas tri ditëve të shiut me predha, veçse janë vënë skela që ua mundësojnë vizituesve të ecin përgjatë pjesës së jashtme. Sipas qendrës së informimit, muret e gërryera nga natyra, vrimat e panumërta të plumbave dhe mbishkrimet e nxënësve në muret e shtëpisë janë vizituar nga 12 milionë njerëz gjatë 20 viteve të fundit.

Së voni, gjatë një të shtune, Lion Jashari, “kushëri i largët” i komandant Jasharit ecte në Prekaz, përmes memorialit dhe fshatit ku është rritur dhe që ende e quan shtëpi, duke treguar me gisht drejt pjesëve që i janë shtuar memorialit prej kohës kur ka qenë fëmijë një shesh, gurë varri të mermertë që lidhin kompleksin me një shteg me ngjyrë gështenje, dhe një qendër informimi që shërben si muze.

Ishte vetëm katër vjeç gjatë sulmit që ndodhi mes 5 dhe 7 marsit, dhe familja e tij kishte ikur gjetiu në atë kohë.

Shtëpia e tij e fëmijërisë qëndron mu përbri shtëpisë së Jasharajve. Shtatë vjet më parë, para se të lindte Lioni, i ati i tij kishte qëndruar shtrirë në çati të shtëpisë duket u fshehur nga breshëria e policisë serbe që e kishte rrethuar Prekazin në një sulm të hershëm ndaj Adem Jasharit. Babai i Lionit tash është veteran i UÇK-së.

Lioni, tash 23 vjeç, rrinte në majën e një kodre ku kishte qenë bunkeri i Adem Jasharit dhe tregonte te një luginë e përborme ku kishte luajtur futboll si fëmijë.

“Jam i vetmi i gjeneratës sime që ka mbijetuar,” tha ai. Sidoqoftë, ai theksoi se ka shumë kujtime të lumtura nga fëmijëria e tij në Prekaz. Duke qenë se Skënderaj kishte një zyrë të UNMIK-ut, të huaj nga e gjithë bota — bashkë me fëmijët e tyre — kalonin kohë në fshat, dhe ai shpesh luante me ta përjashta. Pjesën tjetër të ditëve i kalonte duke lexuar dhe mësuar, sidomos matematikën. Tash, ai është duke i ndjekur studimet master për matematikë në Universitetin e Prishtinës, dhe planifikon ta kryejë doktoraturën për ekonomi.

Komuna e Skënderajt është pjesë e Drenicës, rajon që njihet për qëndresën gjatë shekullit të kaluar, duke nisur me Azem Bejtën, nacionalist i lindur në Skënderaj gjatë sundimit osman i cili luftoi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në fillim të shekullit të njëzetë, e udhëhoqi

Lëvizjen e Kaçakëve kundër Mbretërisë së Serbisë dhe më vonë Mbretërisë së Jugosllavisë.

Lioni tha se historia e rajonit është e rëndësishme për historinë e Adem Jasharit; ai e përshkroi një histori të qëndresës shqiptare në Drenicë, dhe lufta për ta ndërtuar qytetin e Skënderajt nga koha osmane deri në Jugosllavi.

Fshati Prekaz i Ulët. Foto: Atdhe Mulla

“Osmanët u përpoqën ta ndërtojnë një qytet këtu, por fshatarët e dogjën,” tha ai. “Jugosllavia e ndërtoi qytetin mjaft vonë.”

Skënderaj, me 53,000 qytetarët e saj, mbetet një ndër komunat më të varfra në Kosovë. Pavarësisht të ardhurave të ulëta komunale dhe mungesës së qasjes së përshtatshme në ujë të pijshëm në 23 fshatrat e vet, kjo zonë ka rëndësi gati mitike për historinë e shtetit. Në vitin 2004, Kosova e miratoi një ligj që e bëri kompleksin memorial në Prekaz vend me rëndësi kombëtare për shkak të “rëndësisë së tij ontologjike, antropologjike, historike e civile për komunën e Skënderajt, Drenicën, Kosovën dhe kombin shqiptar.”

Sulmi treditor ndaj Prekazit përkujtohet çdo vit, dhe memoriali vizitohet nga mijëra qytetarë, pjesëtarë të diasporës, dhe turistë politikë. Nxënësit e mësojnë historinë e komandantit të UÇK-së përmes librave shkollorë të historisë dhe vizitave të organizuara.

Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) ishte pjesë e një grupi hulumtuesish që dokumentuan hollësitë e vdekjeve gjatë Luftës së Kosovës. HLC-ja ka udhëhequr një organizim për gjetjen e së vërtetës dhe fakteve për ngjarjet e luftës përmes qasjes së tyre të mbledhjes së informatave nga burimet parësorë dhe dytësore — si raportet e mbikëqyrësve, deklaratat e dëshmitarëve dhe të të mbijetuarve, dhe dokumente ushtarake — në një databazë gjithpërfshirëse.

“Mënyra e këtillë e dokumentimit të viktimave nuk lë hapësirë për manipulimin me viktima dhe mohimin e tyre,” ka thënë Blakaj për Prishtina Insight.

Foto: Atdhe Mulla

Sipas studimeve të HLC-së, Forcat Speciale Serbe — përfshirë anëtarët e Njësitit Special Kundër Terrorizmit, Njësitin për Operacione Speciale, dhe Njësitin e Policisë Speciale — kanë qenë të përfshirë në sulmet që ndodhën mes 5-7 marsit. Njësiti për Operacione Speciale ishte nën urdhrin e Millorad Llukoviqit, i njohur edhe si Legija (Legjioni), i cili më vonë është dënuar për planifikimin e vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiqit.

Para agimit më 5 mars, 1998, forcat serbe zunë pozitat në kodrat e Prekazit të pajisur me mortaja, tanke, artileri të rëndë, topë, dhe automjete të blinduara me mitralozë.

Dëshmitarë në fshat i dëgjuan rrapëllimat e para të një sulmi rreth orës 6:30 të mëngjesit. Sipas HLC-së, “policët ishin të urdhëruar të vrisnin, pa dallim, çdokënd, qoftë fëmijë, grua apo të moshuar, që tentuan të dilnin apo hynin në fshat.”

Familja e Adem Jasharit, përfshirë prindërit e tij, Shaban dhe Zaha Jashari, dhe familje e vëllait të tij, Hamëz Jasahrit, u mblodhën në shtëpinë e familjes së Shabanit. Shtëpitë tjera të familjes së gjerë të Jasharajve po ashtu u shënjuan; familjet e Qazim Jasharit, Sherif Jasharit, Zukë Jasharit dhe Fejzë Jasharit u mblodhën në shtëpinë e Beqir dhe Halil Jasharit.

Lion Jashari, Prekaz. Foto: Atdhe Mulla

Duke shtënë pandërprerë, policia i urdhëroi Jasharajt dorëzohen. Pasdite, çatia e shtëpisë së Beqirit dhe Halilit u shkatërrua nga një predhë mortaje, dhe policia gjuajti gaz lotsjellës brenda shtëpisë duke u thënë të gjithëve të dalin jashtë. Qazimi doli me duar mbi kokë, por u vra nga plumbi i policisë. Nazim Jashari, i cili ishte i maskuar në veshje grash dhe ecte me nënën e tij 70 vjeçe, u detyrua të bjerë me fytyrë përdhe nga forcat Serbe dhe më tej u qëllua.

Në shtëpinë e familjes së Shabanit, gruaja e Ademit, Adilja, u vra duke kaluar nga bodrumi në kat të parë për të sjellë municion për luftëtarët; disa gra në shtëpinë e Jasharajve kishin shkuar në oborr apo në katin lart për t’i rrokur armët. Familja e mbuloi kufomën e Adiles me plaf dhe vazhdoi t’i mbajë pozicionet e qëndresës brenda shtëpisë.

Breshëria më e rëndë e predhave ndodhi në mëngjesin e ditës së tretë të sulmeve, më 7 mars, kur shtëpia ishte shkatërruar plotësisht nga plumbat dhe predhat. Të gjithë që fshiheshin në bodrum — përveç Besartës 11 vjeçe që zuri vend prapa një kanistri të bukës — ishin vrarë. Ademi vdiq duke e mbrojtur bodrumin.

Si e mbijetuara e vetme në shtëpinë ku jetonin familjarët më të afërt të Adem Jasharit, Besarta, e bija e Hamëz Jasharit, ka dhënë shumë dëshmi pamore për sulmin.

Pesëdhjetë e nëntë anëtarë të familjes Jashari, përfshirë fëmijë të vegjël , janë vrarë ose janë shpallur të zhdukur pas sulmit treditor. Disa njerëz të tjerë jashtë familjes — dy pjesëtarë të policisë serbe dhe diku 10 të tjerë në fshatra përreth — janë vrarë gjatë sulmit. Disa qenë ushtarë të UÇK-së që iu kundërpërgjigjën sulmit, por të tjerë ishin civilë që u vranë duke u fshehur apo duke tentuar të ikin.

Një burrë me nevoja të veçanta në Turiçec, i cili përshkruhet si “gati i paralizuar” nga anëtarët e mbijetuar të familjes së tij, ishte i sigurt se për shkak të gjendjes së tij, forcat serbe nuk do ta dëmtonin. Ai ndenji në shtëpi teksa familja e tij ikte, po më vonë është gjetur i vrarë në shtratin e tij. Një baba në Burojë që fshihej me gruan dhe fëmijët e tij ishte qëlluar teksa kontrollonte se a ishin larguar forcat serbe nga hapësira rreth shtëpisë së tij.

Skenderaj. Foto: Atdhe Mulla

Një burrë tjetër në Turiçec ishte vrarë pasi kishte dalë jashtë për t’i ushqyer lopët e tij. Forcat serbe i hynë në shtëpi, e detyruan familjen e tij ta lënë atë, e plaçkitën shtëpinë dhe e vranë atë. Ai është gjetur i varrosur në Klinë por nuk është identifikuar deri në vitin 1999.

Një ditë para fillimit të sulmit, forcat serbe kishin parkuar dy tanke afër shtëpisë së një familjeje rome — Fatime dhe Bajram Gashi me fëmijët e tyre — në Llaushë afër Prekazit. Më 5 mars, forcat e parkuan tankun mu në oborr të tyre, dhe kur filluan sulmet, familja u përpoq të ikte. Forcat serbe shtinë drejt Fatimes duke e vrarë atë dhe dy fëmijët e saj: një vajzë dhe një djalë që e mbante motrën e tij njëvjeçare.

Në mëngjes të 7 marsit, policia serbe filloi t’i grumbullojë kufomat e të vrarëve, dhe Goran Radosavleviqi, komandant i akuzuar për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të rastit të vëllezërve Bytyqi, mbërriti në vendngjarje.

Policia i çoi kufomat në një morg në Prishtina para se t’i transportonte gjatë natës në Skënderaj për t’i deponuar në një magazinë. Policia i urdhëroi familjarët t’i merrnin dhe varrosnin trupat, por të mbijetuar refuzuan dhe kërkuan hetim ndërkombëtar mjekoligjor për dëshmi masakre. Ditë më vonë, forcat serbe i groposën trupat, të cilët më vonë u rivarrosën nga familjarët që mbajtën ceremoni në Prekaz ku erdhën dhjetëra mijëra shqiptarë.

Organizatat mbikëqyrëse të të drejtave të njeriut menjëherë e dënuan sulmin. Amnesty International (në raportin numër EUR 70/33/98) theksuan se forcat serbe shkelën norma dhe standarde ndërkombëtare duke përdorur forcë për të vrarë në vend të arrestimit të të dyshuarve të armatosur, dhe sa i përket shtëpisë së Beqir Jasharit, pavarësisht se a ka pasur familjarë të armatosur, “është e rëndësishme të theksohet se sipas raporteve e dëshmitarëve, ata e ndaluan rezistencën dhe efektivisht iu dorëzuan policisë.”

Edhe pse ngjarjet në Prekaz më vonë u përdorën nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për ta provuar ekzistimin e një konflikti të armatosur në rajon, askush nuk është dënuar në veçanti për krimet e kryera atje.

Tregimet e viktimave jashtë familjes Jashari nuk kanë çuar aq shumë peshë në narrativën publike. Prapë, dhuna e sulmit dhe numri i lartë i të vdekurve, përfshirë gratë dhe fëmijët, pa dyshim tërhoqi vëmendje ndërkombëtar te egërsitë e kryera ndaj civilëve në Kosovë.

“Vetëm pas sulmit në Prekaz u ndërkombëtarizua çështja e Kosovës,” ka thënë Xhevat Imeri, një burrë stoik nga Prekazi i epërm që punon te qendra e informimit e ndërtuar në fshat.

Ai e përshkruan vetveten si narrator që e ka rrëfyer historinë e “qëndresës heroike të familjes Jashari për liri” gjatë 20 viteve të fundit.

“Kjo familje kishte gjithë çfarë dikush mund ta ëndërronte,” ka thënë ai, duke iu referuar kullës së madhe të familjes. “Por, ata nuk kishin liri, prandaj e flijuan gjënë më të shenjtë në jetë, familjen. Është obligim i gjithkujt të vijë këtu dhe ta vizitojë familjen, jo sepse është interesante por sepse është simbol i lirisë.”

Lion Jashari në Kullën e Jasharajve në Prekaz. Foto: Atdhe Mulla

Ai po ashtu e sheh punën e tij si udhërrëfyes i vendngjarjes së sulmit si mënyrë për ta rrënjosur të vërtetën.

“Është shumë e rëndësishme ta kemi këtë këtu sepse kishte ndërkombëtarë që nuk bindeshin nga ajo se çfarë ka ndodhur; në mendjen e tyre, ata nuk mund ta përfytyronin një fëmijë të vogël duke u vrarë,” tha ai. Lion Jashari ndërhyri dhe tha se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të propagandës serbe.

Shteti i Kosovës ka bërë përpjekje për ta kundërshtuar atë narrative duke e përkujtuar sulmin në Prekaz në hapësira publike, duke e pagëzuar aeroportin e Prishtinës me emrin e ‘komandantit legjendar’, dhe më së dukshmi përmes Epopesë të përvjetshme treditore.

Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe autore e disa veprave për kujtesën publike në Kosovë, ka hulumtuar se si elitat nacionale e mbajnë dhe riprodhojnë tregime të therorisë, familjes, dhe traditës kombëtare në ritregimin e sulmit.

Në një botim të vitit 2014, Krasniqi argumenton se “heronjtë e personifikojnë shtetin” e Kosovës. Botimi përfshin një studim me 1,500 njerëz në Kosovë që gjeti se Adem Jashari është “heroi më i nderuar në mendjen publike,” pasi 60 për qind e respondentëve shqiptarë të Kosovës e panë si “heroin më të rëndësishëm të kohërave moderne” (i ndjekur nga lideri i ndjerë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, me 10 për qind). Katërdhjetë e tetë për qind e respondentëve kanë thanë se kompleksi memorial i familjes Jashari është monumenti më i rëndësishëm në Kosovë.

“Ndërmarrësit politikë e kanë bërë [Prekazin] vend ku mund të tregojnë një histori të posaçme, e cila është bërë histori kombëtare e luftës kombëtare,” ka thënë Krasniqi gjatë një bisede në zyrën e saj.

Historia është njëkohësisht për viktimësi, therori dhe qëndresë. Raportet që u referuan në gjykimet e ICTY-së gjetën se disa burra ishin ekzekutuar aty për aty, të qëlluar nga afër. Kishte gra dhe fëmijë mes viktimave. Edhe pse narratorët e qytezës nuk harrojnë ta theksojnë vrazhdësinë e sulmit, ata nuk druajnë ta quajnë sakrificë të qëllimshme.

“Meqenëse [Hamëz dhe Adem Jashari] dinin se do të duhej të luftonin për mbijetesë, të dy e dërguan nga një fëmijë, djem, në Gjermani pas sulmit të parë në vitin 1991,” shpjegoi narratori Imeri, duke thënë se familja i dha prioritet vazhdimësisë së ‘gjakut’ patriarkal. “Para sulmit të dytë [duke iu referuar periudhës mes 22 janarit dhe 5-7 marsit, 1998], ata u këshilluan që gratë dhe fëmijët e tyre të ikn, por ishte një marrëveshje mes tyre se ‘nëse burrat tanë do të vdesin, atëherë ku është qëllimi?’”

Krasniqi e eksploron simbolizmin nacionalist dhe gjinor të Prekazit në studimin e saj. Zgjedhjet estetike në kompleksin memorial dhe narracionin e shtetin për ngjarjet theksojnë se lufta e UÇK-së ishte vetëm luftë, ka thënë ajo.

“Vijat ndarëse mes civilëve dhe ushtarëve janë të mjegulluara në Prekaz,” ka thënë ajo.

Xhevat Imeri, ciceron i Memorialit të Jasharajve në Prekaz. Foto: Atdhe Mulla

Krasniqi ka thënë se kujtesa e Jasharit është e lidhur fort me PDK-në dhe Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së, të cilët, sipas saj, janë aktorët kryesorë të përkujtimit të tij si hero kombëtar dhe simbol i lirisë dhe pavarësisë. Për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, qeveria sponsorizoi banerë dhe billbordë në kryeqytet me një ilustrim të fytyrës së Ademit dhe parullën Bac, u kry!

PDK-ja e ndërtoi identitetin e tij partiak rreth Epopesë dhe UÇK-së dhe ka mbajtur pushtet në Kosovë për 10 vjet kryesisht për shkak të votuesve besnikë të Drenicës.

Komuna e Skënderajt tash drejtohet nga Bekim Jashari, nip i Ademit, që është zgjedhur kryetar komune vitin e kaluar. Jashari ishte në garë si i pavarur, i pakundërshtuar nga PDK-ja. Ai e zëvendësoi Sami Lushtakun i cili e mbante ulësen kryekomunale edhe teksa ishte i akuzuar për krime lufte (për të cilat fillimisht u dënua e më vonë u shfajësua).

Foto: Atdhe Mulla

Teksa vendasin ia bëjnë me dije qeverisë se mungesa e investimeve financiare e rrezikon ruajtjen e duhur të monumentit, elitat e Kosovës dukën se po shqetësohen që i gjithë imazhi i UÇK-së po kërcënohet. Në dhjetor, Presidenti Hashim Thaçi i fali tre ish-pjesëtarë të UÇK-së të dënuar për një ‘vrasje hakmarrëse’ vetëm disa ditë pasi deputetët e partisë në pushtet u përpoqën ta shfuqizojnë ligjin për ‘Gjykatën Speciale’, që është e ngarkuar për ndjekjen penale të krimeve gjoja se të kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe pas luftës (deputetët me vonë hoqën dorë nga këto përpjekje pasi Shtetet e Kuintit reaguan ashpër).

Presidenti Thaçi ka thënë se, edhe pse ligji “nuk mund të anulohet,” ai pohon se ishte i imponuar nga perëndimi, dhe se etablimi i saj përbën “padrejtësi historike” ndaj Kosovës. Duke folur për ‘Gjykatën Speciale’, ai vazhdimisht thekson se lufta çlirimtare të Kosovës ishte vetëm luftëmendim i etabluar edhe në një rezolutë të Kuvendit të Kosovës të vitit 2016.

Në zyrën e saj në universitet, profesoresha Krasniqi tha se këto argumente kundër Gjykatës Speciale janë të lidhura me ritregimin politik të rezistencës së Jasharajve.

“Imazhi i luftës çlirimtare si luftë e drejtë vazhdon të përsëritet çdo herë,” ka thënë ajo.

Një epokë e re ka filluar me familjen Jashari, ka thënë Kryeministri Ramush Haradinaj para se ta vizitonte Prekazin gjatë Epopesë. Me afrimin e akuzave të ‘Gjykatës Speciale’, porosia i tij pasqyron atë të narratorit në muzeun e Jasharajve: lufta e UÇK-së ishte e drejtë, një lëvizje e qëndresës që e çliroi kombin.

Eve-anne Travers ka kontribuar për këtë artikull.