20 Vjet e 6 Muaj Burg për Vrasjen e Vitit 2003

Veton Syla u gjet fajtor për vrasjen e Burim Sejdiut në Grabanicë të Klinës në vitin 2003.

Me 20 vjet e 6 muaj burg është dënuar Veton Syla, i cili akuzohet për vrasjen e Burim Sejdiut në vitin 2003 në Grabanicë të Klinës.

NDËRLIDHUR

Sipas vendimit të Gjykatës së Pejës, vrasja kishte ndodhur pasi babai i viktimës nuk kishte pranuar t’i paguante detyrime të pandehurit.

Sipas aktgjykimit të lexuar nga kryetari i trupit gjykues Sali Berisha, për vrasjen e Burim Sejdiut Veton Syla u dënua me 20 vjet burgim dhe për armëmbajtje pa leje me një vit e gjysmë burgim.

Por, dënimi unik që u shpall ishte 20 vjet e 6 muaj burgim.

“Ndaj Gjykata në bazë të dispozitave përkatëse ligjore i përcakton dënimet: Për veprën penale në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktgjykimi dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 viteve; nën 2, për veprën penale në pikën dy të dispozitivit të këtij aktgjykimi merr dënim burgu prej 1 viti e 6 muaj, ndërsa të neni të 10 paragrafit 2 pika 2.2 të Kodit Penal të Kosovës në mënyrë unike gjykohet me dënim burgu në kohëzgjatje prej 20 vite e 6 muaj, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga data 14.5.2014 e tutje në vazhdim deri në përfundim të dënimit”, theksoi kryetari i trupit gjykues.

Ndërsa, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, tha gjykatësi Berisha.

Kurse, avokati i të dënuarit Veton Syla, Hamdi Jashanica, tha për KALLXO.com së vendimi i Gjykatës është marrë pa prova dhe bazë ligjore.

Avokati Jashanica paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit për vendimin e marrë dhe u shpreh optimist se rasti do kthehet në rigjykim.

“Unë konsideroj se gjykata e ka marrë një vendim të rëndë, nuk është i bazuar në prova dhe tërësisht  është i bazuar në thëniet dhe provat e prokurores së shtetit dhe konsideroj se vendimi nuk është i drejtë nuk është i bazuar në ligj, nuk mund të qëndrojë. Unë brenda afatit të rregullt ligjor do parashtroj ankesë me të cilën lënda kalon në Gjykatën e Apelit dhe besoj se vendimi i tillë nuk mund të qëndrojë dhe do të kthehet në rigjykim”, tha Jashanica.

KALLXO.com raportoi edhe për seancën ku u dha fjala përfundimtare nga palët.

I akuzuari Veton Syla kishte thënë së Ramë Sejdiu (babai i viktimës) ia ka vrarë babanë në vitin 2008.

Jepet Fjala Përfundimtare në Gjykimin për Vrasjen e Vitit 2003

30 Janar 2017 - 19:50

Shkodran Nikçi 30/01/2017 - 19:50
NDËRVEPRIMI0

20 Vjet e 6 Muaj Burg për Vrasjen e Vitit 2003

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI