Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

20 Vjeçari Sulmon Policinë me Armë Zjarri në Gjakovë

Pjesëtarë të Njësisë Kundër Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës janë sulmuar me armë zjarri sot në Gjakovë gjatë kohës sa ishin në zbatim të një plani operativ kundër drogës në shkolla.

Policia rajonale në Gjakovë njofton se zyrtarët policorë derisa ishin në përcjellje të një personi të dyshuar në rrugën “Nënë Tereza” në afërsi të shkollës fillore “Zekeria Rexha” në Gjakovë, janë ndeshur me të shtëna në momentin kur kanë tentuar ta ndalin për kontroll të dyshuarin S. Ll. të moshës 20.

I dyshuari e kishte nxjerrë armën e zjarrit duke shkrepur në drejtim të policëve.

Lirie Podrimaj, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Gjakovës tha se zyrtarët policorë falë shkathtësive dhe veprimeve të tyre profesionale për ta vënë situatën nën kontroll i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri, duke arritur ta lokalizojnë personin e dyshuar dhe më pas të njëjtin ta arrestojnë.

“Personit të dyshuar i është konfiskuar arma me të cilën ka kryer veprën. Në këtë shkëmbim zjarri nuk është lënduar asnjë person përveç dëmit material që i është shkaktuar një automjeti”, tha Podrimaj.

Ajo tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse si dhe prokurori i shtetit. Rasti po hetohet nga Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, po mbahet në ndalim policor.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimin e të gjitha akteve kriminale, pavarësisht sfidave me të cilat mund të ballafaqohet”, tha Lirie Podrimaj.