Vetëm 20 Deputetë në Sallën e Kuvendit

Ai tha se 72 deputetë kanë nënshkruar për mëditje në mbledhjen e sotme, ndërsa në seancë asnjëherë nuk ishin më shumë se 54 ose 55 deputetë.

Pasdite në seancë u pa edhe Kryeministri Mustafa dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Para se të ndërpritej mbledhja nga Veseli, në Kuvend u shqyrtua në lexim të parë Projektligji për Akademinë e Drejtësisë të cilin e prezantoi ministri Hajredin Kuçi.

Në emër të grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së e Grupit 6 + iu dha përkrahje këtij projektligji.

13:25

Në kohën kur është paraparë vazhdimi i seancës, në Kuvend ka fare pak deputetë.

Gazetarja e KALLXO.com në orën 13 e 15 numëroi vetëm 20 deputetë të pranishëm në sallë.

Seanca e Kuvendit u shty për këtë orë, pasi në kohën e përcaktuar për pyetjet parlamentare mungonin edhe deputetët që kishin shtruar ato pyetje, por edhe kabineti qeveritar që duhej t’u përgjigjej.

Mungesën e ministrave e kritikoi paradite deputeti pa grup parlamentar Gëzim  Kelmendi.

“Mungesa e pjesës dërmuese të ministrave na pamundëson të jemi produktivë në debate se ka kohë të gjatë që nuk kemi pas seanca,” tha ai.

Edhe dje, por edhe sot paradite Kuvendi ka problem me kuorumin, ndërsa seanca e fundit plenare, para kësaj që nisi më 28 prill, është mbajtur më 30 mars.