ILUSTRIM

19,000 Euro të Falsifikuara- Arrestohen Tre Persona

Tre persona janë arrestuar në Kllokot, pasi, sipas një komunikate të policisë atyre u janë gjetur 19,200 euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

Të arrestuarit janë B. S., shtetas i Maqedonisë i lindur në vitin 1986 dhe dy shtetas të Kosovës me inicialet B. R., njëri i lindur në vitin 1993, e tjetri në vitin 1997.

Sipas komunikatës, arrestimi ndodhi pasi nga Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion në Gjilan u siguruan informata të nevojshme, si rezultat i hetimeve disamujore dhe diuke përdorur masa të fshehta.

Kjo njësi pastaj ka ekzekutuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, për simulimin e blerjes së parave të dyshuara si të falsifikuara nga personat e dyshuar.

“Gjatë realizimit të urdhëresës, me rastin e simulimit të veprës penale, njësitet policore kanë arritur të ndalojnë tre persona të dyshuar, (në një pompë të derivateve në komunën e Kllokotit)”, thuhet në komunikatë.

Policia tregon se çfarë ka gjetur, përveç parave që dyshohen se janë të falsifikuara.

“Gjatë kontrollimit të tyre janë gjetur dhe sekuestruar; një armë e llojit bereta me 6 copë fishekë, para në kartëmonedha prej 192×100 me vlerë të përgjithshme prej 19.200 € (nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind) €, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, sqaron komunikata.

Policia në komunikatë bën me dije se “shuma e parave të falsifikuara do të blihej për 5.000 (pesë mijë) euro para origjinale”.

Të arrestuarve me aktvendim të prokurorit u është caktuar ndalimi policor.