Homazhe te lapidari i Enver Malokut. Foto: Kallxo.com - ARKIV

19 Vjet nga Vrasja e Enver Malokut, LDK Insiston në Ndriçimin e ‘Vrasjeve Politike’

Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familjarë bënë homazhe para lapidarit për Enver Malokut, i vrarë në rrethana ende të pasqaruara 19 vjet më parë, në afërsi të banesës së tij në Prishtinë.

Maloku, ish shef i Qendrës Informative të Kosovës (QIK) dhe gazetar shumëvjeçar, nga sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, u cilësua si “njeri i penës, i mprehtë, dhe atdhetar i madh”.

“Në kohën më të vështirë, ishte ai me shkrimet e tij bëri që bota t’i njohë problemet në Kosovë në kuptimin e diskriminimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve”, tha Beqiri duke iu referuar periudhës kur Maloku botonte gazetën ‘Informatori’, në vitin 1998.

“Edhe sot shprehim dhimbjen tonë për mungesën e një prindi, bashkëpunëtori e intelektuali. Po shihet që figura e tij po i mungon Kosovës”, shtoi ai.

Beqiri përsëriti kërkesën e bërë në secilin përvjetor për zbardhjen e vrasjes së Enver malokut dhe figurave tjera të LDK-së të vrara pas luftës.

Sipas tij, organet e drejtësisë e kanë për obligim që t’i zbardhin këto raste.

“Nuk do të rreshtim së pushuari e së kërkuari që të zbardhet vrasja e Enverit nga një dorë që nuk ia ka dashur të mirën Kosovës dhe po shpresojmë që nuk do të jetë e largët dita kur kjo vrasje do të zbardhet”, tha Beqiri.

“Ka pasur interesa të caktuara të atyre që nuk janë në LDK, që këto vrasje të mos zbardhen. Dikujt po i pengon zbardhja e rasteve, por iu pëlqeu apo nuk u pëlqeu, këto raste do të zbardhen”, tha Beqiri.

Edhe vajza e Enver Malokut, Doruntina Maloku, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, kërkoi që organet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre në hetimin e këtyre vrasjeve.

Kur u pyet rreth një nisme të papërfunduar për hetimin parlamentar të aktiviteteve të SHIK-ut tha se LDK është e gatshme ta bëjë këtë.

“Kemi qenë të gatshëm ta hetojmë SHIK-un në kohën kur kemi qenë në qeveri sepse në atë kohë ne do ta kishim shumicën në Komision dhe nuk do të lejonim që të bëheshin manipulime në dëshmi për SHIK-un. Në këtë kohë kur kryeparlamentari Kadri Veseli kërkon që të formohet Komisioni, ne nuk jemi për këtë sepse nuk do të lejojmë që PDk ta formojë këtë komision dhe ta hetojë veten”, tha Maloku.

Ajo tha se kryetari i Kuvendit Veseli ka qenë kundër hetimit të SHIK-ut në kohën kur PDK e LDK ishin bashkë në qeveri, mandatin e kaluar.

“Edhe atë kohë kryeparlamentari ka qenë kundër hetimit të SHIK-ut prandaj është kontraverse ajo çfarë bën ai, ashtu siç është edhe figura e tij”, tha Maloku.