Nga protesta e 1 tetorit 1997 | Foto: Facebook

19 Vjet nga Protesta që Nisi Ndryshimin

Studentët e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor 1997 të prirë nga rektori Ejup Statovci dhe Unioni i Pavarur i Studentëve u ngritën në protestë kundër gjendjes së atëhershme në të cilën zhvillonin procesin mësimor dhe për kthim në objektet nga të cilat ishion dëbuar.

Protesta e asaj kohe nisi në Lagjen “Velania” ku studentët e UP-së mësonin nëpër shtëpitë e lëshuara për shkolla, ndërsa kishte për qëllim marshimin drejt kampusit universitar.

Por protesta u shpërnda nga forcat serbe, ndërsa organizatorët e saj në atë kohë u arrestuan.

Megjithatë, kjo protestë shënoi fundin e rezistencës pasive kundër ish-regjimit të Millosheviqit.

Protestën e 1 tetorit 1997 e kujtoi sot Presidenti Hashim Thaçi.

“Studentët dhe pedagogët pjesëmarrës në demonstratën e një tetorit 1997 shënuan një faqe të ndritur të historisë së rezistencës së Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë,” shkroi ai.

Edhe Bujar Dugolli që atëherë ishte kryetar i Unionit të pavarur të Studentëve të UP-së e komentoi në Facebook përvjetorin e protestës së ’97-ës.

“Lëvizja Studentore e viteve 1997 -1999 ka meritat e saj, ka bërë me nder dhe krenari pjesën e vet, në luftën tonë kombëtare për të dalë fitimtarë në rrugën e çlirimit, të lirisë dhe të ardhmes sonë të përbashkët kombëtare.Vitet 1997-1999 mbeten vitet kthesë dhe përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,” shkroi Dugolli.

Para dy vjetësh KALLXO.com shkroi për përvjetorin e kësaj proteste, e cila atëherë mblodhi në vendin ku nisi shumicën e organizatorëve të saj.

http://kallxo.com/kujtohet-protesta-e-1-tetorit-te-vitit-1997/