Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

18 Vjet Burg për Vrasjen në Prani të Policit

Gjykata Themelore e Prizrenit, shpalli aktgjykim dënues ndaj 11 personave në rastin e rrahjes mes dy familjeve nga lagjja Arbana e Prizrenit që përfundoi me vrasje.

Skender Berisha nga fshati Brestovc, Komuna e Rahovecit, me banim në Lagjen Arbana të Prizrenit, për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje, u dënua me 18 vjet burg.

Djali i Skenderit, Shpend Berisha, për shkak të veprës penale lëndim i lehtë trupor, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg.

Agron Avdylaga, nga Prizreni, për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë, u dënua me 3 vjet burg.

Të akuzuarit Xhemajli Berisha dhe Drilon Berisha, u dënuan me nga një vit burgim efektiv për veprën penale të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Të akuzuarit Ramiz Avdylaga, Fadil Avdylaga, Avni Bytyqi, Nexhmedin Berisha, Sazan Berisha dhe Arbër Berisha, për shkak të veprës penale pjesëmarrja në rrahje, u gjetën fajtorë dhe u dënuan me nga 1 vjet burg.

Bujar Avdylaga dhe Arianit Berisha, u liruan nga akuza për shkak se ndaj tyre nuk është provuar të kenë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje për të cilën akuzoheshin.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra për Informim e Gjykatës Themelore të Prizrenit më datën 29 qershor 2014 rreth orës 16;00 në Lagjen Arbana të Prizrenit, në rrugën tranzite në afërsi të motelit “Korabi”, me dashje dhe paramendim, i akuzuari Skender Berisha ka ndërmarrë veprime dhe ka kryer vrasje.

Ngjarja ka ndodhur në një konflikti fizik në mes të Berishës me pjesëmarrësit tjerë, të pandehurit tjerë, të familjes Berisha në njërën anë dhe të pjesëmarrësve të pandehur të familjes Avdylaga në anën tjetër, e cila ka rrjedhur si pasojë e mosmarrëveshjes së mëhershme rreth një kontesti pronësor.

Ditën kritike i pandehuri Skender Berisha, ishte duke punuar në parcelën kontestuese së bashku me djalin e tij dhe të pandehurit tjerë të familjes Berisha. Pasi vërehen duke punuar në vendin kontestues nga ana e të pandehurve të familjes Avdylaga, të njëjtit e njoftojnë  policinë të cilët pas pak vijnë në vendin e ngjarjes dhe në prezencë të policisë situata tensionohet.

Të pranishmit fillojnë përleshjen fizike ne mes tyre, me ç’rast gjatë kësaj përleshje i pandehuri Skender Berisha shtie me armë zjarri dhe nga afërsia qëllon për vdekje dhe e privon nga jeta të ndjerin Qamil Avdylaga.

Pas këtij veprimi, me të njëjtën revole i pandehuri vazhdon të shtie dhe nga një distancë e afërt e qëllon me armë edhe dy pjesëtarë tjerë të familjes Abdylaga, duke u shkaktuar plagë me dëmtime të rënda trupore me rrezikim të jetës dhe pasoja të përhershme trupore.

KALLXO.com nga dita e ngjarjes kritike, në vazhdimësi raportoi për këtë rast.

http://kallxo.com/nje-i-vrare-6-te-lenduar-ne-prizren/