Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

16 të Arrestuar për Krim të Organizuar

Policia me anë të një komunikate bën të ditur se aksionet gjatë të cilave dje u arrestuan 16 persona u zhvilluan në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Mitrovicë.

Në aksione, sipas komunikatës, të përfshira kanë qenë edhe njësi të tjera të specializuara policore dhe zyrtarë nga Dogana e Kosovës e nga ATK-ja.

Në operacionin e parë pas hetimeve të zhvilluara për ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Prizren dhe Mitrovicë janë arrestuar 6 persona si dhe janë kontrolluar 77 lokacione të ndryshme.

Të arrestuarit nga policia janë personat me inicialet R. L, D. H, B. I, R. I, S. H, F. I, ndërsa si prova materiale janë sekuestruar 3 ruleta, 2 tavolina pokeri, 69 aparate të lojërave të fatit,  2 lojëra keno, 2 armë, 546 fishekë, 17 PC, 3 DVR, 9 telefona celularë dhe  41 260 euro.

Në operacionin e dytë të zhvilluar afër fshatit Shillovë të Gjilanit në një lokal të lojërave të fatit janë arrestuar dhjetë persona nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të jashtëligjshëm.

Dhjetë të arrestuarit afër Shilovës janë personat me këto iniciale: B. B, A. SH, R. S, A.G, G, M, XH, M, I. G, V. I, A. A dhe L. H, ndërsa “si prova materiale policia ka sekuestruar fletore me shënime për hyrje – daljet reale të parasë në këtë pike, 10030 euro, 200 franga të Zvicrës, 100 dollarë amerikanë dhe të ashtuquajturat chips dhe zaret”.

Personave të arrestuar u është caktuar ndalimi policor me qëllim të vazhdimit të procedurës së mëtejme.