1558 Konkurrentë për 39 Pozita të Zyrtarëve Ligjorë

1558 konkurrentë synojnë të bëhen pjesë e stafit të prokurorive të Republikës së Kosovës.

Këta konkurrentë po tentojnë t’i zënë 39 pozita për zyrtarë ligjorë për të cilat Këshilli Prokurorial ditë me parë kishte shpallur konkurs.

Procesi i rekrutimit është drejt finalizimit, ndërsa sot këta kandidatë kanë hyrë në test me shkrim.

Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës tha për KALLXO.com së ky është fillimi i këtyre rekrutimeve për prokuroritë themelore të Kosovës.

“Ku është një proces i mbështetjes me kapacitete administrative që këshilli i ofron prokurorit të shtetit, përkatësisht këta janë zyrtarët ligjorë  të cilët ne jemi duke i rekrutuar për prokurorin e shtetit, aktualisht jemi në proces të rekrutimit dhe numri i përgjithshëm është rreth 1558 kandidatë”< tha Krasniqi.

Gjithsej janë 39 pozita ku bëhet fjalë për pozita të zyrtarëve ligjor të të gjitha nivelet e prokurorive po kryesisht për këtë fazë është niveli i prokurorive themelore dhe prokurorisë speciale”, tha Krasniqi.

Numri më i madh i aplikantëve është për Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Numri më i madh i aplikantëve është për Prokurorinë Themelore të Prishtinës aty është edhe numri më i madh i pozitave të hapura për këtë pozicion- zyrtarë ligjorë është 10 pozita dhe numri i aplikantëve është rreth 600”, theksoi Krasniqi.

Sipas drejtorit të Sekretariatit të KPK-së procesi i rekrutimit do përfundojë brenda afateve ligjore të parapara me ligj.

“Jemi duke punuar intensivisht, ditëve në vijim do të punojmë edhe gjatë vikendit në mënyrë që të përfundojë testi me shkrim dhe pastaj janë proceduarat e vlerësimit dhe fazat tjera të procesit të rekrutimit që shpresojmë t’i përfundojmë brenda afateve të përcaktuara me ligj”, shtoi Krasniqi.