15 Vjet Burg Vrasësit të Djalit të Axhës

Fidan Makolli është dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e djalit të axhës së tij pas një konflikti verbal për parking.

Pasi çështja është kthyer në rigjykim, qysh në seancën e parë i akuzuari për vrasjen e Fadil Makollit ka pranuar vrasjen e djalit të axhës së tij, duke shprehur pendesë të thellë për çfarë kishte ndodhur.

Shpalljen ndaj të akuzuarit e bëri kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri

“Të akuzuarin Fidan Makolli për veprën penale vrasje e dënon me burgim në kohëzgjatje prej 15 viteve, po ashtu ndaj të njëjtit i shqiptohet edhe dënimi plotësues me të cilin i konfiskohet pistoleta”, tha gjyqtarja Gërguri.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, konflikti ndodhi si pasojë e parkingut.

“Ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit Fadil Makolli duke plagosur në regjionin e abdomenit- nënbrinjor të djathtë, pastaj i dëmtuari Fadil Makolli për shkak të lëndimeve të pësuara ka vdekur më datën 29.07.2016”, shtoi Gërguri.

Gjatë shpalljes së këtij aktgjykimi, shpërtheu në lot bashkëshortja e tani të ndjerit, Arzije Makolli.

Në mars të këtij viti, gjyqtarja Gërguri i kishte shqiptuar Makollit dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 18 vjetëve, ndërsa sot e dënoi tre vjet më pak.

Pas ankesës së avokatit mbrojtës, Besnik Jakupi, Gjykata e Apelit kishte kthyer çështjen në rigjykim në qershor të këtij viti, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

I akuzuari Fidan Makolli kishte pranuar vrasjen para trupit gjykues që e kreu më 24 qershor të vitit 2016 edhe në gjykimin e kaluar.

Gjatë atij gjykimi kur dëshmoi Arzije Makolli, e pyeti Fidan Makollin se pse ia vrau burrin.

Sipas aktakuzës, i ndjeri Fadil Makolli ka parkuar veturën afër furrës “Sharri”, me ç’ rast i akuzuari Fidan Makolli ka dalur nga shtëpia dhe i ka thënë tani të ndjerit të mos e parkojë veturën në atë vend.

Pas një konflikti verbal në mes të djemve të axhës, i akuzuari Fidan Makolli kishte shtënë në drejtim të Fadil Makollit, i cili vdiq 35 ditë më vonë.