Më 14 Shkurt Gjyqi për Shpifje ndaj Atifete Jahjagës

Kunetërit e Shyhrete Berishës kanë paditur ish-presidenten Atifete Jahjaga për shpifje.

Padia lidhet me deklaratën e Jahjagës se Shyhrete Berisha “është nxjerrë zhag nga shtëpia ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Vahide Braha, avokatja e familjes Berisha që ka paditur ish-presidenten, tha se seanca për masën e sigurisë ndaj deklaratës së Jahjagës do të zhvillohet më 14 shkurt.

Sipas avokates Braha, në këtë seancë kunetërit e Shyhrete Berishës do të kërkojnë nga Jahjaga të kërkojë falje në lidhje me këtë deklaratë dhe që ky deklarim të tërhiqet prej saj.

KALLXO.com kontaktoi edhe Selim Selimin, avokatin e ish-presidentes, por ai nuk ishte i qasshëm në telefon.

Jahjaga deklaratën për të cilën është paditur e kishte dhënë në përkrahje të Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës ndaj kësaj familjeje në vitin 1999.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Gjykata Themelore në Prizren-Dega në Suharekë në korrik të vitit 2017 ia njohu të drejtën e pronësisë mbi gjysmën e kësaj shtëpie dhe gjysmën e paluajtshmërisë së saj Shyhrete Berishës.

http://kallxo.com/gjysma-e-prones-dhe-gjysma-e-shtepise-takojne-shyhrete-berishes/