14 Mijë Euro për Gypin që Mungon

Në vitin 2013, gjatë rindërtimit të sheshit “Zahir Pajaziti” qytetarët kishin parë makineri të rëndë tek vendosnin një gyp në pjesën afër hotelit “Grand”. Makineritë ishin larguar në atë kohë pa e lënë pas vetes punën të përfunduar.

Dy vite më vonë, pas raportimit të një qytetari, KALLXO.com ka mësuar se Komuna ia ka paguar në tërësi paratë kompanisë ndërtuese.

Menaxheri i kontratës, Qazim Bajrami, tha për KALLXO.com se në këtë shesh ka qenë e planifikuar të vendosen dy gypa të tillë, por vetëm njëri është vendosur.

“Gypi është paguar sipas kontratës pasi që ai është montuar një herë nga kompania kontraktuese. Por, me urdhër të qeverisjes së kaluar komunale gypi është larguar dhe gjendet në depon e Komunës në Zonën Industriale” ka thënë Bajrami.

Ai ka shpjeguar se Komuna në atë kohë e ka marrë këtë vendim pas reagimeve të qytetarëve, të cilëve, sipas Bajramit, për shkak të formës së pjerrët të gypit, u ishte krijuar ndjenja se gypi mund të bjerë.

Sheshi “Zahir Pajaziti” u rindërtua gjatë kohës kur Isa Mustafa ishte në krye të Prishtinës.

Në total investimet në këtë shesh Komunës i kishin kushtuar rreth 4.5 milionë euro.

zahir pajaziti