13 Vjet Burgim për Detyrim për Prona

Sipas aktakuzës, qëllimi i grupit ishte përfitimi përmes detyrimit, kërcënimit dhe uzurpimit të paligjshëm të disa pronave në Ferizaj.

Gjykata në Ferizaj i gjeti fajtorë Bajrush Nezirin, Nezir Nezirin, Hysen Kamberin dhe Ismet Lekën për veprën penale të detyrimit, por i liroi nga akuza për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

“Në bazë të nenit 80 të Kodi të Procedurës Penale të Kosovës, të pandehurit Bajrush Neziri i shqiptohet dënim unik prej katër vite e gjashtë muaj burg dhe dënim me gjobë prej 3000 mijë euro”, lexoi aktgjykimin kryetari i trupit gjykues Musa Kongjeli.

Me burgim u dënuan edhe dy të akuzuar të tjerë. Ismet Leka u dënua me 2 vjet e gjashtë muaj, ndërsa Hysen Kamberi me 2 vjet burg.

Dy të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që akuzoheshin për lëndime të lehta trupore, Shumzim Aliu dhe Atixhe Aziri, u liruan pasi që prokurori ishte tërhequr nga akuza.

Avokati i të akuzuarit, Bajrush Neziri, Nikë Shala, tha për KALLXO.com se nuk është i kënaqur me pjesën dënuese të aktgjykimit.

“Ditë kritike i mbrojturi im me asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar se klienti im e ka kërcënuar dikë apo e ka përdorur forcën dhe kjo jo vetëm që është vërtetuar gjatë shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve por edhe pas bastisjes në shtëpinë e klientit tim nuk është vërtetuar teza e prokurorisë”, tha Shala.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit e parë gjatë periudhës 2012-2013, duke vepruar si grup kanë drejtuar një numër kërcënimesh të rënda, dhunë, uzurpim të paligjshëm të pronës dhe shfaqje të armës me qëllim të shtrëngimit të banorëve të Ferizajt që të paguanin shuma parash në këmbim që të lejoheshin të përdornin tokat të cilat ata i kishin blerë ligjërisht.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorit të EULEX-it, gjatë verës së vitit 2012, kur vëllezërit Neziri e kanë kuptuar se Gëzim Baliu, një biznesmen nga Ferizaj, ishte i angazhuar për blerjen e tokës nga një pronar serb, të një ngastre me 1,421 metra katrorë në Ferizaj, të pandehurit e kanë rrethuar ngastrën me tela dhe shtylla metali pavarësisht se ata nuk kishin kurrfarë të drejtash mbi atë tokë.

Prokuroria pretendon se kur Baliu kishte kundërshtuar këtë veprim, të pandehurit i kishin kërkuar shumën prej 40 mijë euro nëse ky donte që ta lejonin ta blinte tokën nga pronarët legjitimë.

Në aktakuzë pretendohet se për të kërcënuar Baliun gjatë një bisede, i akuzuari Bajrush në vendngjarje e thërret edhe të akuzuarin Hysen Kamberin për ta mbështetur.

Pasi kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, sipas aktakuzës, Kamberi, në mënyrë agresive i kishte thënë Gëzim Baliut se “çfarë je duke kërkuar këtu, këtë tokë e kam okupuar unë” me qëllim të kërcënimit.

Prokurori në aktakuzë e përshkruan Kamberin si një njeri problematik, të rrezikshëm dhe të dhunshëm, të cilët i frikësoheshin banorët e Ferizajt.

Sidoqoftë, pasi e kishte blerë tokën më 23 korrik 2012, dhe kishte filluar me pastrimin e terrenit duke e hequr rrethojën e vendosur nga vëllezërit Neziri, teksa ishin duke pastruar parcelën, sipas aktakuzës paraqitet Hysen Kamberi i cili shkon në autolarjen e zotëruar nga Baliu për ta kërcënuar dhe dekurajuar atë.

Rast tjetër për të cilin akuzoheshin të pandehurit ishte edhe rasti i Ilaz e Ismet Bajramit që vendosën të blejnë një parcelë nga pronarë serbë më 1 shtator 2008.

Sipas aktakuzës, një vit pas blerjes teksa pronarët po e rrethonin me tela dhe shtylla metalike tokën e tyre ndërsa pak pas kësaj Bajrush Neziri i afrohet dhe i thotë Ilaz Bajramit se ‘’nuk do të lejoj që ti ta marrësh këtë tokë”.

Edhe pse rrethoja nga pronarët ishte vendosur disa herë, sipas aktakuzës ajo shkatërrohej nga të pandehurit Bajrush e Nezir Neziri dhe Ismet Leka.

Në aktakuzë përshkruhet se i pandehuri Bajrush kërkoi 4,200 euro si parakusht për shfrytëzim të sigurt të tokës.

Duke qenë se Ilaz Beqiri ishte një burrë i moshuar, i lindur në vitin 1931, në aktakuzë përshkruhet se  në mungesë të djalit të tij që jetonte në Zvicër, duke u frikësuar për jetën e tij, pranoi t’u paguante të pandehurve shumën prej 4,200 euro.

Të gjitha këto pretendime të prokurorisë, avokati Nikë Shala i quan të pabazuara.

“Asnjëherë nuk është dëshmuar se klienti im ka hyrë në pronë të tjetërkujt, në mënyrë të kundërligjshme ngase para se ta blen pala e dëmtuar sipas prokurorisë, klienti im e ka blerë atë patundshmëri, ka bërë pagesë dhe e ka shfrytëzuar dhe kjo çështje është trajtuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj për të drejtën e parablerjes”, tha Shala.

Avokati Shala paralajmëroi se posa të pranojë aktgjykimin do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.