Gjykata shpall aktgjykimin ndaj Gent Selimit dhe dy të tjerëve - Foto: KALLXO.com

11 Vjet Burgim për Vdekjen në Klubin ‘Amsterdam’

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra bëri të ditur se Gent Selimi është dënuar me 11 vjet burgim në bazë të kësaj vepre penale me arsyetimin se nga video-incizimet nuk ka mundur të vërtetohet dashja për ta privuar nga jeta tani të ndjerin Bektashi.

“I ndjeri nuk ka kontribuar në këtë përleshje. Ai në vazhdimësi është përpjekur t’i ndajë të njëjtit dhe deri tek përleshja ka ardhë kur kanë dashtë me dalë nga dera e ngushtë dhe aty janë kacafytë”, shtoi Kalludra.

Ndërkaq, dy të akuzuarit e tjerë, Isuf Drejiqi dhe Besim Ahmeti, janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj.

Të tre të akuzuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Përveç dënimit me burgim, të akuzuarit po ashtu janë të detyruar t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale secili veç e veç në vlerë prej 200 euro.

Ngjarja kishte ndodhur në natën e 30 marsit të vitit 2013, në klubin “Amsterdam” në lagjen Emshir, ku si pasojë e përleshjes ka ndërruar jetë Luan Bektashi.

Pas një mosmarrëveshjeje kishte filluar përleshja në mes të dy grupeve, me ç’rast ka arritur deri tek vdekja e tani të ndjerit Bektashi.

I akuzuari Selimi, sipas aktakuzës, ka sulmuar me thikë tani të ndjerin Bektashi, ku si rezultat i ka prerë arterien, venën femorale të majtë dhe degët e tyre regjionale, prerje këto të cilat janë shoqëruar me gjakderdhje masive dhe shok hemorragjik.

Prokuroria tha se Luan Bektashi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkaq, dy të akuzuarit e tjerë, Drejiqi dhe Ahmeti, sipas aktakuzës fillimisht kanë hedhur gota, shishe, karrige e tavolina, kështu duke e prishur rendin dhe qetësinë, me ç’rast edhe janë shpallur fajtorë për veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/akuzuari-per-vrasjen-ne-amsterdam-veprimin-e-bera-pa-dashje/

http://kallxo.com/ekspertize-dhe-deshmi-per-vrasjen-ne-amsterdam/

http://kallxo.com/bashkeshortja-e-te-vrarit-te-akuzuarit-nuk-kerkuan-pajtim/