11 Studentë Ndërkombëtarë Pjesë e Universitetit të Prishtinës

Njëmbëdhjetë studentë ndërkombëtarë do jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të ndjekur semestrin pranveror 2018. Këta studentë janë pritur në një takim nga përfaqësues të Universitetit të Prishtinës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema duke iu uruar mirëseardhje studentëve ndërkombëtarë, kërkoi nga ta që Universitetin e Prishtinës ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre.

I pari i UP-së, Dema bisedoi  me këta studentë për mundësitë e studimit  të tyre brenda UP-së dhe i garantoi ata që do të kenë mbështetjen e nevojshme akademike dhe administrative për të realizuar studime sa më cilësore.

Ndërkaq, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, Teuta Pustina në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë për punën e bërë në pranimin dhe akomodimin e studentëve për të ndjekur studimet për këtë semestër në UP.

Studentët ndërkombëtarë të cilët do të jenë pjesë e UP-së për semestrin pranveror janë nga Turqia, Polonia, Austria dhe Portugalia, ndërkaq do t’i ndjekin studimet e këtij semestri në Fakultetin Ekonomik, Filozofik, Filologjik, si dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Mobiliteti i këtyre studentëve është realizuar me anë të projektit Erasmus+ të Bashkimit Europian. Programi Erasmus+ është program i BE-së për shkëmbimin e studentëve dhe stafit. Qëllimi i tij është të ofrojë mundësi të këmbimit për studentët dhe stafin e vendeve partnere.