Pamje nga mbledhja e sotme e Komisionit për buxhet dhe financa - Foto: KALLXO.com

11 Milionë Eurot Pa Pronar në Trustin Pensional Barten në Buxhet

11 milionë eurot pa pronar nga fondi i Trustit Pensional, shtimi i mjeteve për mallra dhe shërbime për Akademinë e Arteve dhe Shkencës dhe shtimi i 500 mijë eurove për komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit janë tri amendamentet e reja që u votuan në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, kërkonte nga ministri i Financave Bedri Hamza të informohej sa janë shkurtimet buxhetore të mjeteve për projekte.

“Ministër kërkojmë të informohemi mbi shkurtimet buxhetore për projekte siç është projekti i autostradës për Gjilan nga 7.9 milionë është shkurtuar në 6.9 milionë, si dhe a mund ta dimë sa është vlera e shkurtuar e buxhetit për projekte”, pyeti Abdixhiku.

Me këtë rast, ministri Hamza theksoi se 11 milionët e Trustit do t’i plotësojnë shkurtimet buxhetore.

“Tani kemi në dispozicion 11 milionë euro më shumë, që do të shpërndahen aty ku kemi bërë shkurtesa buxhetore në projekte të cilat do të kthehen prapë siç është rasti me autostradën. Për momentin ne kemi shkurtesa buxhetore për projekte prej 19.8 milionë por me shtimin e 11 milionëve tani kemi shkurtesa vetëm 8.8 milionë euro”, tha ministri i Financave.

Për kërkesën e Zyrës së Kryeministrit për shtimin e fondeve prej 500 mijë euro për komunitete disa nga anëtarët e Komisionit u pajtuan e disa kërkonin sqarime.

Naser Osmani, anëtar i këtij Komisioni, theksoi se komunitetet kanë mjaft mjete. Sipas tij nuk ishte e nevojshme shpërndarja përmes Zyrës së Kryeministrit.

“Kërkesën për komunitete përmes Zyrës së Kryeministrit për 500 mijë euro unë mendoj që do të ishte shumë më mirë që këto mjete të shpërndahen nëpërmjet kanaleve të ndryshme sepse te Zyra e Kryeministrit ka mjaft mjete për komunitete” tha Osmani.

I të njëjtit mendim nuk ishte anëtari tjetër i Komisionit, Dardan Molliqaj, i cili theksoi se nëse mjetet destinoheshin për studentët dhe për ndërtimin e shkollave janë të arsyeshme sipas tij.

“Unë po e shoh se këto 500 mijë euro janë të dedikuara për studentë, për ndërtim të shkollave dhe për çështje sociale. Mendoj se janë të arsyeshme”, tha Molliqaj.

Me shumicë votash u miratuan tri amendamentet e reja nga Komisioni për Buxhet dhe Financa të propozuara nga Ministria e Financave sipas kërkesave së deputetëve.