Nënshkrimi i peticionit në Pejë | Foto: Facebook

1,000 Nënshkrime për 5 Orë Kundër Privatizimit të Kino-Teatrit

Në pesë pika të ndryshme të qytetit të Pejës organizata joqeveritare “Anibar”  në mbështetje të organizatave tjera kulturore dhe vullnetarëve nga ky qytet, ka filluar mbledhjen e nënshkrime nga qytetarët  kundër privatizimit të kino-teatrit të qytetit “Jusuf Gërvalla”.

Vullnet Sanaja, drejtori i organizatës joqeveritare “Anibar” tregoi për KALLXO.com numrin e njerëzve që nënshkruan peticionin për pesë orë.

“Dje për 5 orë jemi dalë, mbi 1,000 nënshkrime janë mbledhë. Kemi me qenë 10 ditë në qytet për me marrë mbështetjen e qytetarëve qe janë kundër shitjes se kinemasë së vetme të qytetit”, tha Sanaja.

Nënshkrimi i peticionit u ndërmor si hap për të penguar procedurat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për likuidimin e këtij kino-teatri.

AKP-ja kino-teatrin e konsideron pronë nën menaxhim të vetin, ndërsa Komuna e Pejës që objektin e tij ia ka dhënë në shfrytëzim për 15 vjet organizatës “Anibar” pretendon se objekti është në pronësi komunale.

Sanaja nga “Anibar” tha se pas përfundimit të mbledhjes së nënshkrimeve peticioni do t’u dorëzohet institucioneve.

KALLXO.com katër ditë më parë shkroi rreth njoftimit të AKP-së për likuidimi e pronës dhe objektit të kino-teatrit “Jusuf Gërvalla” dhe kundërshtimin që këtij vendimi po i bëjnë komuna dhe shoqëria civile në Pejë.

http://kallxo.com/kundershtohet-privatizimi-kino-teatrit-jusuf-gervalla/

Edhe kino “Lumbardhi” në Prizren është përballur me rrezikun e privatizimit.

Mirëpo, pas presionit të shoqërisë civile AKP e kishte hequr përkohësisht këtë objekt me rëndësi kulturore nga lista e vet e shitjes.

Për këtë çështje ishte diskutuar në emisionin “Jeta në Kosovë“ në prill të vitit 2015.