Policia e Kosovës në aksion - Foto: KALLXO.com

10 Vjetët e Policisë së Kosovës

Policia e cila në vitin 1999 u themelua si Shërbim Policor i Kosovës, pas 17 shkurtit të vitit 2008, kur Kosova shpalli Pavarësinë, u transformua në Policinë e Kosovës.

Ai që pati fatin të ishte ndër drejtorët e parë ishte Shermet Ahmeti.

Gjatë mandatit të tij, policia u përfshi në skandalin e vjedhjes së drogës brenda dhomës së dëshmive.

47 kilogramë heroinë ishin vjedhur nga dhoma e dëshmive brenda objektit të policisë.

Pas, Sheremet Ahmetit, në krye të policisë erdhi Behar Selimi.

Edhe Selimi nuk qëndroi shumë në pozitën si i pari i Policisë, ai dha dorëheqje.

Pasuesi i Ahmetit e Selimit, ishte Reshat Maliqi.

Me 24 korrik të vitit 2011, Kryeministri në atë kohë, Hashim Thaçi, mori vendim që Reshat Maliqi të shkarkohet nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Shkarkimi i Maliqit erdhi gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Policia e Kosovës deri më tani numëron 13 pjesëtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Dhjetëra të tjerë u lënduan, në aksione e në protesta të cilat ishin të dhunshme.

http://kallxo.com/arrestohen-13-protestues-lendohen-4-police/

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e shumë politikanë të tjerë dhanë lëvdata për aksione e për mbajtje të rendit dhe qetësisë së qytetarëve.

Kur Policia e Kosovës u cilësua si njëra ndër institucionet më të besueshme, Thaçi pati shkruar në profilin e tij zyrtar në facebook, se është krenar me policinë.

”Jam krenar që edhe ‘Transaprency International’ e tha atë që ne e kemi ditur qëmoti, se Policia e Kosovës është forca më profesionale dhe më e besueshme në rajonin tonë e më gjerë”, shkroi atëherë Thaçi.

Presidenti lavdëroi policinë edeh për parandalimin e një sulmi terrorist prej saj.

“Ditë më parë, me një punë shembullore, ata parandaluan sulmin terrorist të planifikuar të ndodhte gjatë ndeshjes së futbollit në mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ky ishte një rast tjetër i bashkëpunimit shembullor rajonal, të shërbimeve policore dhe të agjencive të inteligjencës, në shkëmbim informacioni dhe në bashkërendim të masave operative”, kishte shkruar më tutje Thaçi.

Ai strukturën e policisë e konsideroi të përgatitur.

“Ky është një konfirmim tjetër i nivelit të lartë të përgatitjes së strukturave të sigurisë të Republikës së Kosovës për t’u përballur me sfidat e sigurisë që e kërcënojnë Kosovën dhe rajonin”, pati shkruar Thaçi.

Që nga themelimi i saj e deri më tani, Policia e Kosovës ende nuk ka sigurim shëndetësor e jetësor.

Shumë njerëz të fuqishëm të drogës, krimit të organizuar e korrupsionit kanë përfunduar në pranga.

Edhe policia ishte e përfshirë në skandale të tilla, kur vetë ajo përfundoi në pranga për përfshirje në raste prej më të ndryshmëve.

KALLXO.com vazhdimisht ka shkuar në lidhje me përfshirjen e policisë në vepra të ndryshme penale.

Dyshimet për Policin që Transportoi Drogë Drejt Mitrovicës

http://kallxo.com/polici-qe-u-kap-droge-pjesetar-njesive-te-specializuara/

Dhjetëra arrestime janë kryer nga ana e Policisë së Kosovës në këto dhjetë vjet shtet.

Së fundmi, 59 policë janë arrestuar për marrje të mitës.

59 zyrtarë policorë janë ndaluar dhe janë dërguar në qendrat e mbajtjes, prej tyre 20 të Njësisë së Autostradave, 20 nga Njësiti i Trafikut në veri të Mitrovicës, 15 nga njësiti jug i Mitrovicës dhe 4 të njësisë së Prizrenit.

Këto arrestime erdhën nga ana e inspektoratit Policor të Kosovës, nën dyshimet se të arrestuarit janë përfshirë në marrje ryshfeti.

Policia e Kosovës ende nuk është pjesë e INTERPOL-it, e herën e fundit Kryeministri Haradinaj pati dalë me deklaratën se nuk ka vota të mjaftueshme për Kosovën në këtë organizatë ndërkombëtare të policive.