10 Gjilanas Akuzohen se Sulmuan Policinë Serbe në Dobrosin

Fotografi të nxjerra nga kompjuterët personalë  të të akuzuarve janë prova e cila pretendohet se vërteton se 10 shqiptarë të Kosovës organizuan sulmin ndaj punktit të policisë serbe në Dobrosin të Bujanovcit qershorin e 2012-ës.

Ngjarja e cila kishte shkaktuar reagime të shumta nga të dyja shtetet ende nuk po mund të marrë një epilog përfundimtar nga gjyqësori i vendit.

Lënda gjyqësore ndaj 10 të akuzuarve për këtë sulm e ngritur nga prokuroria e EULEX-it është kthyer në rigjykim në Gjykatën e Gjilanit.

Në seancën e fundit të këtij rasti të akuzuarit Skënder e Valon Jashari kanë kontestuar kohën kur janë shkrepur disa fotografi të cilat prokuroria pretendon t’i përdorë si prova.

“Prokuroria neve na akuzon për dy ekspedita, në maj dhe në qershor, e në ato foto ne nuk jemi as në maj e as në qershor”.

Prokurorja e rastit ka sqaruar se fotografitë janë të vërteta dhe të marra nga kompjuterët e të akuzuarve.

Në mes datave 17 maj dhe 7 tetor 2012 punkti i policisë serbe në Dobrosin të Bujanovcit ishte sulmuar tri herë radhazi me armë zjarri.

Pak kohë pas incidentit nën urdhërat e prokurorëve të EULEX-it Policia arrestoi dhjetë shtetas të Kosovës si përgjegjës për këto sulme.

Grupi i thirrur “Lëvizja e Lirisë” e i përbërë nga Valon Jashari, Skënder Jashari, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani, akuzohen  gjatë kësaj kohe kryen akte terroriste në shtetin e Serbisë.

Të akuzuarit të cilët mbrohen në liri pretendojnë se po u shkelet e drejta për një gjykim të shpejtë.

 “Vetëm kisha dashur që të ketë një drejtësi, mos të shfrytëzohet mosmundësia e shqiptarëve të Kosovës që të paraqiten ose të bëjnë ankesa në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg fort mirë kta të hujtë e kanë blloku atë mundësi që ne mos të kemi po lujnë me ndjenjat me jetën dhe me punën tonë për çdo ditë”, ka thënë njëri nga të akuzuarit- Gazmend Lakna

Gjykata Supreme përmes aktgjykimit së lëshuar më 19 prill të vitit 2016 e kishte kthyer rastin në rigjykim, derisa në vitin 2013 të akuzuarit qenë dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me një  total prej 60 vjetësh burgim.