Azem Syla pasi i është dorëzuar Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

1 Maji Shtyn Ankesën për Azem Sylën

Festa e 1 Majit e ka shtyrë edhe vendimin për ankesën ndaj paraburgimit për ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla.

Për shkak se institucionet e vendit nuk punojnë të hënën, Sylës do i duhet të qëndrojë në burgun e Dyzit të paktën deri të martën. Kjo për shkak se ankesa e mbrojtjes nuk mund të dorëzohet në ditët kur Gjykata është në pushim.

Sipas Ligjit për Festat Zyrtare, dita e 1 Majit është ditë pushimi dhe këtë vit për shkak se kjo datë ka qëlluar të dielën institucionet e vendit do të pushojnë edhe ditën e hënë.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka vendosur të shtunën që ndaj Azem Sylës të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Ndaj kësaj mase mbrojtja ka paralajmëruar ankesa.

“Ne ankesën e kemi përpiluar por për shkak të festës dhe për shkak se ne jemi një shtet i pasur dhe nuk kemi nevojë me punu ankesa nuk mund të dorëzohet në Gjykatë deri të martën”, ka thënë avokati Tomë Gashi. Ai vazhdon ta quajë të padrejtë vendimin për klientin e tij.

“Vendimin për paraburgim e kemi kundërshtuar në të gjitha bazat për të cilat mund të kundërshtohet paraburgimi e posaçërisht mungesën e provave pasi që edhe vet gjykatësi dhe prokurori në vendimin për caktimin e paraburgimit thonë se provat për Azem Sylën janë të mjegulluara”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, është dërguar të shtunën në burgun e sigurisë së lartë në Dyz. Ai dyshohet të jetë pjesë e një grupi që keqpërdori pronat shoqërore në një vlerë prej 30 milionë eurosh.

https://www.youtube.com/watch?v=jkG5AkwMFO0